Një nga ditët më të rëndësishme të historisë së Kosovës së lirë, sot Haga e jep verdiktin final për fatin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Sot, në Gjykatën Speciale të Hagës pritet të jepet një nga vendimet më të rëndësishme të historisë së Kosovës pas Pavarësisë. Në këtë Gjykatë, sot jepet verdikti final për fatin e ish-Presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit si dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimit njëherit të katër ish-krerë të UÇK-së.…

Lajme

16/09/2026 08:14

Sot, në Gjykatën Speciale të Hagës pritet të jepet një nga vendimet më të rëndësishme të historisë së Kosovës pas Pavarësisë.

Në këtë Gjykatë, sot jepet verdikti final për fatin e ish-Presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit si dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimit njëherit të katër ish-krerë të UÇK-së.

Të katër këta që ishin figura të rëndësishme të UÇK-së dhe luftës së Kosovës, po mbahen në Hagë tash e gjashtë vite nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Në prag të vendimit, në Kosovë është përcjellë një mesazh i fuqishëm mbështetës për katër ish-krerët e UÇK-së.

Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Prishtinës për të shprehur përkrahjen për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, ndërsa në shumë pjesë të vendit janë zhvilluar aktivitete në pritje të vendimit të Hagës.

Për shumë qytetarë, kjo nuk është vetëm çështje e katër individëve. Është çështje e një periudhe historike që lidhet drejtpërdrejt me luftën e Kosovës, me sakrificën e mijëra njerëzve dhe me përpjekjen për çlirimin e vendit.

Prandaj, kërkesa që përsëritet është që procesi të vlerësohet vetëm mbi bazën e provave dhe standardeve të drejtësisë.

Në Kosovë pritet një gjykim i drejtë dhe një vendim i bazuar në prova, pa presione politike dhe pa paragjykime ndaj luftës së UÇK-së.

Katër emra që lidhen me historinë e çlirimit

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë qenë figura të rëndësishme të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Pas luftës, ata vazhduan të kenë role të rëndësishme në jetën politike të Kosovës.

Thaçi u bë kryeministër dhe president i Kosovës, ndërsa Veseli drejtoi Kuvendin dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Selimi dhe Krasniqi po ashtu vazhduan aktivitetin e tyre politik dhe institucional.

Për këtë arsye, procesi në Hagë është përcjellë në Kosovë jo vetëm si një rast gjyqësor, por edhe si një proces që prek një pjesë të rëndësishme të historisë së vendit.

Një ditë që mund të ndryshojë shumëçka

Nëse shpallen të pafajshëm, vendimi do të pritej në Kosovë si një fitore e madhe morale dhe juridike për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, por edhe si një moment i rëndësishëm për perceptimin publik mbi luftën e UÇK-së.

Nëse ka dënime, beteja juridike nuk do të përfundojë domosdoshmërisht aty, pasi vendimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet përmes procedurave të apelit.

Ajo që është e sigurt është se 16 shtatori do të jetë një ditë historike për Kosovën.

Pas gjashtë vitesh nga arrestimet, pas më shumë se tri vitesh gjykim dhe pas një procesi që ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, nesër pritet të dëgjohet vendimi për katër prej figurave më të njohura të UÇK-së.

Kosova e pret këtë ditë me shpresën që drejtësia të flasë mbi bazën e provave, se standardet e gjykimit do të respektohen dhe se asnjë paragjykim politik nuk do të ndikojë në vendimin e gjykatës.

Për shumë qytetarë, pritja ka vetëm një dëshirë:

Që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të marrin drejtësinë që u takon dhe që e vërteta për luftën e Kosovës të mos shtrembërohet.

Nesër flet gjykata. Kosova pret drejtësi. /Lajmi.net/