Një Kryetar që zbaton ligjin

Valon Murati foli para banorëve të fshatit Shkabaj se si parimet themelore mbi të cilat do të ndërtohet qeverisja lokale nën udhëheqjen e tij janë zgjidhja e vetme për shumicën e problemeve.

Lajme

26/10/2013 13:47

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim për Kryetar të Prishtinës, Valon Murati, u premtoi banorëve të fshatit Shkabaj trajtimin e problemeve kryesore të tyre.

Ai u shpjegoi atyre se si parimet themelore mbi të cilat do të ndërtohet qeverisja lokale nën udhëheqjen e tij janë zgjidhja e vetme për shumicën e problemeve të paraqitura në këtë tubim.

“Shumica e këtyre problemeve zgjidhen nëse një kryetar i komunës respekton dhe zbaton ligjet, punon ndershëm e me përkushtim si dhe krijon rrethana për përfshirje më të madhe të qytetarëve në qeverisjen lokale”, tha Murati.

Ai gjithashtu theksoi se investimet në bujqësi do të jene prioritet gjatë qeverisjes së tij, gjë që do të bëj që të zbutet papunësia në fshatrat e Prishtinës e rrjedhimisht edhe në Shkabaj.

Kandidati i LB’së për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Emin Sallahu identifikoi problemet kryesore me të cilat ballafaqohet fshati Shkabaj.

“Këto probleme përfshijnë vërshimet gjatë sezonit të reshjeve për shkak të cilësisë së dobët të investimeve në infrastrukturë, cilësinë e dobët të arsimit, mungesën e ndriçimit publik, problemet me linjat e trafikut urban, papunësinë e lartë”, tha Sallahu.