Një ditë pas protestës së tensionuar, Prokuroria autorizon IPK-në të hetojë përdorimin e forcës nga Policia

Një ditë pas protestës së tensionuar në Prishtinë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) për ndërmarrjen e veprimeve paraprake lidhur me veprimet policore gjatë protestës. Sipas Prokurorisë, veprimet e IPK-së kanë për qëllim mbledhjen e informatave dhe provave lidhur me tejkalimin eventual të…

Lajme

06/10/2026 16:36

Një ditë pas protestës së tensionuar në Prishtinë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) për ndërmarrjen e veprimeve paraprake lidhur me veprimet policore gjatë protestës.

Sipas Prokurorisë, veprimet e IPK-së kanë për qëllim mbledhjen e informatave dhe provave lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për ndërmarrjen e veprimeve paraprake lidhur me veprimet e Policisë së Kosovës gjatë protestës së datës 05.10.2026, në hapësirat përreth ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetuesit e IPK-së do të mbledhin informacione dhe prova për të vlerësuar nëse gjatë përdorimit të forcës ka pasur tejkalim të autorizimeve policore.

“Qëllimi i këtyre veprimeve është mbledhja e informatave dhe provave lidhur me tejkalimin e mundshëm të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve”, thuhet më tej.

Prokuroria dhe IPK-ja do të bashkërendojnë veprimet për të sqaruar secilin rast ku dyshohet se forca mund të jetë përdorur përtej asaj që ishte e nevojshme dhe e autorizuar.

Ky veprim i Prokurorisë vjen një ditë pas protestës së 5 tetorit, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe topit me ujë, si dhe arrestime e persona të lënduar. /Lajmi.net/