Një Booker e bukur

Eleanor Catton, 28 vjeçarja nga Zelanda e Re, është fituesja më e re e Çmimit Man Booker. Bukuria e romanit të saj është në strukturën komplekse që përputhet me hartat astrologjike. Kritikon qasjen stereotipizuese të mediave ndaj grave shkrimtare.

ShowBiz

17/10/2013 13:14

Shkrimtarja 28 vjeçare nga Zelanda e Re, autore e romanit The Luminaries, është fituesja më e re në moshë e Çmimit Man Booker. Romani i saj 832 faqesh, një rrëfim për minierat e arit të shekullit 19, është vepra më e gjatë që e ka fituar çmimin në 45 vitet e ekzistimit të tij.

“Është vepër e shkëlqyeshme. Është vepër inspiruese. Është e madhe, pa qenë e tepërt”, deklaroi Robert Macfalane, kryetari i jurisë.

The Luminaries është rrëfim misteri i stilit viktorian, i vendosur në kohën e “etheve të arit” në Zelandën e Re, struktura e brendshme e të cilit është në përputhje me hartat astrologjike – secili kapitull është saktësisht sa gjysma e kapitullit paraprak.

Gjatë pranimit të Çmimit, shkrimtarja e re pranoi se romani i saj i gjatë dhe kompleks ka qenë një “makth për botuesin”, kurse është detyruar ta blinte një çantë dore të madhe për ta mbajtur librin me veti.

Catton është e brengosur me trajtimin e pabarabartë që publiku u bën shkrimtarëve burrave dhe atyre gra.

“Kam vënë re që nëpër intervista shkrimtarët burra i pyesin çfarë mendojnë, kurse shkrimtaret gra si ndjehen”.

“Nga përvoja ime, por edhe ajo e shkrimtareve tjera, të gjitha pyetjet e intervistuesve kanë të bëjnë me atë se sa fatlume janë gratë shkrimtare të jenë në vendin ku janë, me fatin dhe identitetin e tyre, dhe me inspirimin. Intervistuesit shumë rrallë i trajtojnë gratë si mendimtare serioze, si filozofe, si personalitete që kanë preokupime ideore me të cilat do të merren gjatë gjithë jetës së tyre”.

Eleanor Catton lexon paragrafët e parë të romanit The Luminaries.