Nitaj: Haradinaj s’merr pjesë në takimin e Thaçit, është shumë vonë për debat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka dërguar ftesa krerëve të partive politike për një takim, i cili pritet të mbahet nesër për të diskutuar rreth reformës zgjedhore.

Lajme

03/11/2016 17:22

Por kësaj ftese nuk do t’i përgjigjet kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i këtij subjekti Muharrem Nitaj. Ai tha se Haradinaj nuk gjendet në Kosovë, por sipas tij, edhe po të ishte, ai nuk do merrte pjesë në këtë takim, pasi siç vlerëson ai, është shumë vonë për të diskutuar.

“Haradinaj  nuk është fare në Kosovë, ai është në një vizitë pune në Gjermani, por edhe sikur të ishte  në Kosovë nuk besoj se do të ishte pjesë e këtij takimi”, thotë Nitaj.

Sipas Nitajt, AAK vlerëson se tash është shumë vonë që të bëhet një reformë zgjedhore sepse siç shprehet ai,nuk përjashtohet mundësia që zgjedhjet e radhës ndoshta të mbahen  brenda disa muajsh para se eventualisht do të mund të fillonte debati për një reformë zgjedhore e cila, sipas tij, do të vlente për zgjedhjet tjera e jo për zgjedhjet e radhës./Lajmi.net