Nisma: Zyrtarët e PDK-së po bëjnë presion mbi votuesit (Foto)

Nisma për Kosovën po thotë se Sala Berisha Shala, Naim Bazaj dhe zyrtarë të PDK-së, po bëjnë presion mbi votuesit

Lajme

04/12/2016 14:42

“Në panikën e humbjes, PDK-ja po bën presion në forma të ndryshme mbi qytetarët, vëzhgues të partive tjera, dhe komisionerët e partive tjera”, thuhet në reagimin e Nismës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Sala Berisha Shala, është duke qëndruar në shkollën fillore “Jusuf Gërvalla” në Negroc, dhe është duke bërë presion mbi qytetarët për ta votuar kandidatin e PDK’së, thuhet në një njoftim nga partia e Fatmir Limajt.

Në lidhje me këtë rast thuhet se tashmë është njoftuar edhe prokuroria e Kosovës.

“Po ashtu, sipas informacioneve që kemi nga vëzhguesit tanë nëpër qendra të votimeve, edhe Naim Bazaj ka hyrë në shkollën fillore Ali Gashi në Çikatovë të Re, i cili nuk ka asnjë të drejtë për të hyrë në këtë qender votimi, mëqe emri i tij figuron në listën e kandidatëve për kryetar komune.

Gjithashtu, sipas disa informacioneve që na kanë ardhur, dyshohet se Selman Ibriqi, zyrtar i PDK’së, në Komoran është duke shpërndarë mjete financiare në këmbim të votës për kandidatin e tyre”, përfundon reagimi.

Ndërkaq, në një reagim tjetër, dega e NISMA për Kosovën në Drenas, reagon në lidhje me rastin që është duke ndodhur në Llapushnik, saktësisht në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, një vëzhgues i PDK-së, është duke dalur jashtë objektit të qendres së votimit, dhe po bashkëbisedon me qytetarët që janë duke pritur për të votuar.

“Sipas informacioneve që na vijnë nga tereni, bëhet fjalë për vëzhguesin e PDK’së, Hamit Thaqi”, thuhet në reagim.