Nipi i Isa Boletinit: Binjakëzimi i Mitrovicës me Vlorën, akt historik që vazhdon rrugëtimin e gjyshërve tanë
Nipi i heroit kombëtar Isa Boletini ka folur për binjakëzimin e qyteteve të Mitrovicës dhe Vlorës, duke e cilësuar këtë si një akt historik që vazhdon rrugëtimin e figurave që kontribuuan në historinë kombëtare shqiptare. Ai ka bërë të ditur se një ditë më parë, së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, kanë qëndruar…
Lajme
Nipi i heroit kombëtar Isa Boletini ka folur për binjakëzimin e qyteteve të Mitrovicës dhe Vlorës, duke e cilësuar këtë si një akt historik që vazhdon rrugëtimin e figurave që kontribuuan në historinë kombëtare shqiptare.
Ai ka bërë të ditur se një ditë më parë, së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, kanë qëndruar në Vlorë, ku është realizuar binjakëzimi i dy qyteteve.
Me këtë rast, ai ka shprehur krenarinë për kontributin e Isa Boletinit në themelimin e shtetit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve historike dhe kombëtare ndërmjet Mitrovicës dhe Vlorës.
“Sot falënderojmë të gjithë ata që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për themelimin e Shqipërisë, e një nga ata dihet që është Isa Boletini dhe ne si familjarë gjithmonë ndihemi krenarë si pjesë e kësaj historie shumë të rëndësishme të Kosovës. Dua të tregoj që dje së bashku me kryetarin Faton Peci e bëmë një akt historik, binjakëzimin e dy qyteteve tona, duke vazhduar rrugëtimin e gjyshërve tanë, ajo vijë që për shumë vite ishte e ndarë, realisht e padrejtë, dhe ne dje e vulosëm me binjakëzimin mes qytetit të Vlorës dhe qytetit të Mitrovicës”, ka deklaruar ai.
Ai ka falënderuar gjithashtu kryetarin Faton Peci për këtë iniciativë, duke shprehur krenarinë që ishte pjesë e delegacionit në këtë ngjarje.
“Dua ta falënderoj Faton Pecin për këtë akt historik e të madh. Isha krenar që isha pjesë e delegacionit të tij. Besoj që nga ky moment do të vazhdojmë dashurinë dhe respektin mes dy qyteteve tona, Vlorës dhe Mitrovicës, duke kujtuar Isë Boletinin nga Mitrovica dhe Ismail Bej Vlorën nga Vlora”, ka thënë ai.