Shqiptarët festojnë 28 Nëntorin edhe në Bernë, ambasada organizon ceremoni festive dhe koncert madhështor
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër dhe Lihtenshtein ka shënuar Ditën e Flamurit dhe 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me një ceremoni festive dhe koncert në qytetin e Bernës. Aktiviteti u organizua të premten, më 27 nëntor, në sallën e teatrit të Hotel National, me ftesë të ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër…
Lajme
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër dhe Lihtenshtein ka shënuar Ditën e Flamurit dhe 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me një ceremoni festive dhe koncert në qytetin e Bernës.
Aktiviteti u organizua të premten, më 27 nëntor, në sallën e teatrit të Hotel National, me ftesë të ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër dhe Lihtenshtein, Ermal Dredha.
Në këtë ngjarje morën pjesë diplomatë, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe personalitete të ndryshme, si dhe përfaqësues të mediave shqiptare dhe zvicerane, të cilët u bashkuan për të nderuar një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Ceremonia u hap nga Monika Zguro, ndërsa pas intonimit të himneve kombëtare të Shqipërisë, Zvicrës dhe Lihtenshteinit, të pranishmëve iu drejtua ambasadori Ermal Dredha me një fjalë mirëseardhjeje.
Pjesë e programit ishte edhe koncerti i Big Band-it të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i cili i dha mbrëmjes një atmosferë të veçantë festive. Aktiviteti përfundoi me një pritje për të ftuarit.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Ali Ahmet, i cili përmes një mesazhi publik shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë organizim.
“Me ftesë të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Zvicër, pata kënaqësinë që të marr pjesë në shënimin e Ditës së Madhe Kombëtare, 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar”, ka shkruar Ahmet.
Ai gjithashtu përcolli urimet për festën kombëtare, duke u dëshiruar të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, gëzuar 28 Nëntorin.
Ceremonia në Bernë shërbeu si një moment bashkimi për komunitetin shqiptar dhe përfaqësuesit institucionalë e diplomatikë, duke rikujtuar rëndësinë e ruajtjes së traditave, identitetit dhe lidhjeve me atdheun, edhe larg tij.