28 Nëntori në Mitrovicë, festë në jug dhe mungesë e atmosferës festive në veri
28 Nëntori është pritur me atmosferë të ndryshme në dy pjesët e Mitrovicës. Ndërsa në Mitrovicën e Jugut kishte prani të qytetarëve dhe flamujve kuq e zi në rrugë, në Mitrovicën e Veriut, përfshirë Lagjen e Boshnjakëve, nuk është vërejtur ndonjë shenjë e festimit të kësaj date. Në pjesën jugore të qytetit, qytetarët kanë shprehur…
Lajme
28 Nëntori është pritur me atmosferë të ndryshme në dy pjesët e Mitrovicës. Ndërsa në Mitrovicën e Jugut kishte prani të qytetarëve dhe flamujve kuq e zi në rrugë, në Mitrovicën e Veriut, përfshirë Lagjen e Boshnjakëve, nuk është vërejtur ndonjë shenjë e festimit të kësaj date.
Në pjesën jugore të qytetit, qytetarët kanë shprehur krenarinë dhe emocionet për këtë ditë, duke kujtuar sakrificat e të parëve dhe rëndësinë e ruajtjes së simboleve e traditave kombëtare.
Ish-zëvendëskomandanti i Njësisë Speciale në Zonën e Shalës së Bajgorës, Sabit Haziri, ka thënë për KosovaPress se 28 Nëntori përfaqëson një ditë me shumë sakrifica, ngjarje historike dhe arsye për krenari, por edhe për dhimbje.
Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së plisit si simbol kombëtar, duke bërë thirrje që kjo traditë të përcillet te brezat e ardhshëm.
“Shumë fjalë i meriton kjo festë. Kjo festë është me shumë fjalë, me shumë sakrifica e shumë ngjarje për kombin tonë. Në ditën e sotme kemi shumë arsye të ndihemi të lumtur, kemi edhe shumë arsye të kemi dhimbje, krenari e të gjitha këto. Plisi simbolizon të kaluarën tonë. Kjo është një simbolikë kombëtare që ka nisur paska të lihet anash. Kjo është për t’ua përkujtuar njerëzve, se e kemi obligim ta bartim këtë simbol. E kanë bartur të parët tanë dhe duhet edhe ne ta trashëgojmë. Ne duhet të vazhdojmë ta kemi me vete”, ka porositur Haziri.
Qytetari Sokol Peci ka vlerësuar atmosferën festive në qytet, duke thënë se kremtimi i kësaj date është i rëndësishëm për shqiptarët si popull dhe komb.
“Qysh po e sheh, mirë, atmosferë e mirë. Na duhet kjo, se ne jemi një popull, një komb. Isa Boletini ka bërë për këtë datë, ia vlen festimi. Është edhe e mirëseardhur si 28 Nëntor”, ka thënë Sokol Peci.
Për të festuar 28 Nëntorin në Mitrovicë, nga Tirana ka ardhur presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë në Shqipëri, Skender Doda. Ai ka përmendur kontributin e Kosovës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë duke veçuar rolin e Isa Boletinit.
“Përshëndetje Kosovë, Mitrovicë, e gjithë Shqipëria. Sot është një ditë e bekuar, është dita e shpalljes së pavarësisë, e cila është realizuar falë edhe Kosovës, me kryetrimin Isa Boletinin, i cili ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Unë qëllimisht kam ardhur nga Tirana sot në Mitrovicë për të festuar këtë festë. Është hera e parë që vij në këtë datë. Urime, Kosovë dhe gëzofshi festën”, ka thënë Doda.
Shqipëria sot shënon 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duke shënuar një nga datat më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.