Nikolic lobon në Europë për lista

Krerët e shtetit serb, kanë shtuar kërkesat e tyre ndaj institucioneve ndërkombëtare që të ndikojnë në shtimin e listës së votuesve serb në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Lajme

03/10/2013 14:36

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, gjatë qëndrimit të tij në Strasburg ka thënë se qëndrimi i administratës së Prishtinës në lidhje me zgjedhjet  lokale në Kosovë është i papranueshëm. Ai i ka bërë thirrje Këshillit të Europës që të ndikojnë që këto zgjedhje të jenë të rregullta.

“Nëse asnjëra nga organizatat që i kemi informuar deri më tani nuk kanë reaguar, gjë që vetëm me anë të një veprimi të tillë mund të ndryshoj qëndrimi i shqiptarëve, atëherë Serbia do të merr vendim që mos ti përkrahë këto zgjedhje”.

Presidenti Nikolic ka shtuar se sjellja e administratës e Prishtinës ndaj serbëve që kanë të drejtë vote është pa tolerueshme.

“Komisioni Qendror Zgjedhor ka fshirë pa mëshirë nga listat e votuesve serbët të cilët kanë pasur të drejtë vote. Një gjë e tillë duhet ta shqetësoj Këshillin e Evropës. Pa përfshirjen e Serbisë nuk do të ketë bashkëjetesë në Kosovë”.