Nikolic kërkon ndërrimin e Dacicit

Presidenti serb, Tomislav Nikolic thotë se Serbia mund të ketë Qeveri më të mirë dhe për këtë arsye ai përmend mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend. Thotë se Qeveria aktuale me Ivica Dacicin Kryeministër ka qenë e imponuar.

Lajme

03/01/2014 10:51

Thellohen mospajtimet mes Presidentit dhe Kryeministrit të Serbisë.

Shkas duket të jetë propozimi i SHBA’ve për dhënien e Çmimit Nobel Kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Dacic dhe Baroneshës Catherine Ashton për arritjen e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill, 2013, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kështu Presidenti serb, Tomislav Nikolic thotë se Serbia mund të ketë Qeveri më të mirë dhe për këtë arsye ai përmend mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.

“Mendoj se zgjedhjet e reja do të përcaktonin një forcë shumë më të madhe të një partie politike, e cila do të jepte kryeministrin”.

“Kjo qeveri ka qenë e imponuar”.

Ditë më parë Nikolic porositi Kryeministrin Dacic që ta refuzojë kandidaturën për Nobel me Hashim Thaçin.

Sipas tij, nëse Thaçi fiton Nobelin, atëherë ai do të lirohej nga akuzat për “krime ndaj serbëve”.

“Si më i vjetër që jam, unë i jap një këshillë atij (Dacicit): Ka mjaft kohë, je i ri, mund të bësh shumë edhe më tej për Serbinë. Kosova është çështje e pazgjidhur. Kjo do të zgjasë. Kjo është vetëm një fazë. Askush deri më tani nuk e ka fituar Çmimin Nobel pse ka filluar të bisedojë, pro vetëm kur është zgjidhur problemi.

Nikolic ka deklaruar javën e kaluar se e ka pyetur Dacicin qysh në fillim të dialogut nëse është i gatshëm të bisedojë me Thaçin, dhe ai i ishte përgjigjur se kjo është përgjegjësi e tij sepse shqiptarët e kanë zgjedhur Thaçin.

“Më tha se e pranon, por kërkoi që (Aleksandar) Vucic dhe unë t’i qëndrojmë prapa. I kam thënë se do ta ketë mbështetjen time të plotë. Por kjo për Çmimin Nobel është diçka tjetër”, ka thënë Tomislav Nikolic.

Ndaj këtij qëndrimi të Nikolicit ka reaguar ditë më parë Kryeministri serb Dacic.

Ai ka thënë se Nikolic është dashur të jetë kandidat për Çmimin Nobel, sepse ai i ka propozuar bisedimet me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin.

“Mendoj se Nikolic është dashur të thoshte se nuk e përkrah Thaçin për çmimin Nobel, e formulimi se nuk e përkrah Dacicin është në përputhje me instruksionet që m’i ka dhënë sa herë që kam shkuar ta pyes çfarë të bëjmë në Bruksel”.

Dacic ka thënë se në një rast Nikoliq i kishte thënë: “Mos nënshkruaj, por edhe mos refuzo”.

Dacic ka përmendur se e ka pranuar detyrën shumë të vështirë të bisedojë me Thaçin dhe për këtë askush nuk e ka pyetur nëse pajtohet ose jo.

“Thjesht, ndodhi që Thaçi të jetë kryetar i një Qeverie, ne atë Qeveri nuk e njohim e Nikolic ma propozoi këtë”.

“Ai kërkoi nga unë të bisedoj me Thaçin”, ka sqaruar  kryeministri serb për TV Sitel të Maqedonisë.

“Tekstualisht ka thënë – ja tek i keni dy kryeministrat, mbyllini në një dhomë dhe çfarë të merren vesh ata, unë do ta pranoj”.