“Niet” Gazpromit rus

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i thotë “Jo” përfshirjes së Kosovës në Gazprom’in rus. Ai kundërshton hapur qëndrimin e Serbisë që, në kuadër të dialogut në Bruksel, ta bëjë edhe Kosovën pjesë të gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut”.

Lajme

26/11/2013 10:02

Kosova i ka thënë “Jo” përfshirjes në rrjetin e gazsjellësit rus të Gazprom.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, është shprehur se Kosova është e interesuar të përfshihet aty ku është Shqipëria, si dhe vendet tjera Pro-Perëndimore të Ballkanit Perëndimor, pra në gazsjellësin Trans-Adriatik “TAP”.

Një projekt tjetër, sipas diplomatit kosovar, ringjall hartën e “Luftës së Ftohtë” dhe të ish “Perandorisë” sovjetike.

“Në këto debatet e fundit, se në cilin tubacion të gazsjellësave duhet të përfshihet Republika e Kosovës, qëndrimi ynë është që duam të jemi pjesë e TAP’it, në atë projekt ku është përfshirë edhe Republika e Shqipërisë me Greqinë e Italinë. Do të thotë e një projekti, që është i Bashkimit Europian dhe që do t’i duhej të furnizonte BE-në, dhe kurrsesi i një projekti që mund të ringjallë një hartë të Luftës së Ftohtë dhe të ish-perandorisë sovjetike”, ka thënë Ministri Enver Hoxhaj, në një intervistë për Top Channel.

Ai ka pohuar se përfshirja e Kosovës në gazsjellësin “Rrjedha e Jugut” nuk është diskutuar në Bruksel. E kundërta ka ndodhur, sipas tij. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka biseduar me Qeverinë e Shqipërisë dhe aleatët e tjerë përfshirjen e Kosovës në TAP.

“Deri më tani nuk ka qenë temë e bisedimeve në Bruksel, përderisa kryeministri Thaçi ka biseduar disa herë me të dy kryeministrat e Shqipërisë, ish-in dhe atë aktual, ndërsa kemi diskutuar edhe me aksionerët e tubacionit TAP, si dhe me shtete të tjera partnere, të cilat do të duhej ta ndihmonin Republikën e Kosovës që të përfshihet në këtë gazsjellës. Ne, për një temë të tillë jemi skajshmërisht të qartë se ku do të duhet të përfshihet Republika e Kosovës”.

Një ditë më parë, kryeqyteti serb priti miq nga Rusia, në një ceremoni, e cila shënonte fillimin e ndërtimit të seksionit “Rrjedha e Jugut” nëpër Serbi. Sipas autoriteteve serbe, projekti simbolizon lidhjen midis vendeve dhe kombeve dhe është një monument për lidhje të Serbisë me Rusinë, e krijuar nëpërmjet punës.

Ishte Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, i cili gjatë fjalës së tij tha se në bisedimet në Bruksel ekziston propozimi, që një pjesë shtesë e tubacionit të Gazpromit rus të shkojë në Kosovë, kurse Maqedonia dhe Shqipëria janë në shqyrtim të projektit.