Ngritja e flamurit të Vorio-Epirit në Himarë, provokim i qarqeve ekstremiste greke

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e cilëson të papranueshme ngritjen e flamurit të Vorio-Epirit në Himarë dy ditë më parë. Në një deklaratë për mediat, PDIU dënon ngjarjen dhe thotë se qarqet ekstremiste greke po provokojnë në Shqipëri.

Lajme

05/04/2020 14:18

Sipas PDIU, heshtja për çështjen Çame, ngritja e varrezave të ushtarëve grekë, censusi i parashikuar me vetdeklarim, shtimi i 3 kushteve të reja nga Greqia për hapjen e negociatave tregojnë për revanshin dhe agjendën këmbëngulëse të Greqisë edhe në këtë kohë kur njerëzimi është në betejë për të drejtën e jetës.

“PDIU dënon si të papranueshme ngjarjen e datës 3 Prill në Himarë.

Në kohën kur e gjithë Shqipëria është vetizoluar për të përballuar pandeminë e koronavirus COVID-19, qarqet ekstremiste greke provokojnë brenda territorit të Shqipërisë me ngritjen e flamurit të Vorio-Epirit.

Ngjarje të tilla tashmë janë kthyer në rituale të përsëritura arrogante dhe të dënueshme ligjërisht.

Heshtja për Çështjen Çame, ngritja e varrezave të ushtarëve grekë, censusi i parashikuar me vetëdeklarim, shtimi i 3 kushteve të reja nga Greqia për hapjen e negociatave tregojnë për revanshin dhe agjendën këmbëngulëse të Greqisë edhe në këtë kohë kur njerëzimi është në betejë për të drejtën e jetës.

I bëjmë thirrje shtetit shqiptar, institucioneve ligj zbatuese, Prokurorisë, SHISH, Policisë, të veprojnë me forcën e ligjit në ruajtje të integritetit dhe dinjitetit kombëtar”, thuhet në deklaratën e PDIU/BW.