Ngritet aktakuzë ndaj Jelena Gjukanoviq, zyrtarja e OSBE-së e dyshuar për spiunazh tek BIA serbe
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Jelena Gjukanoviqit, të dyshuar për spunazh. Gjukanoviq, sipas Prokurorisë Speciale, nga një datë e pacaktuar deri kur është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, derisa punonte si zyrtare e OSBE-së në Kosovë, me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive…

Lajme
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Jelena Gjukanoviqit, të dyshuar për spunazh.
Gjukanoviq, sipas Prokurorisë Speciale, nga një datë e pacaktuar deri kur është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, derisa punonte si zyrtare e OSBE-së në Kosovë, me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.
“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, ka shkruar Prokuroria Speciale në aktakuzë.
Sipas kësaj Prokurorie, Gjukanoviq derisa punonte në OSBE, bazuar në udhëzimet që ka marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vlajic, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës.
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosvoës.
Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt 2025, ndërsa me 2 mars të këtij viti i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Asaj i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Më 02.03.2025 se Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se e dyshuara për spiunazh në Mitrovicë, është anëtare e OSBE-së. Përmes një reagimi, OSBE-ja kishte thënë se janë në kontakt me përfaqësuesin e saj ligjor dhe po monitorojnë situatën.
“Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit”, thuhej në reagim. /Lajmi.net/