Ngërçi zgjidhet me debat

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti thotë se dikush duhet të marrë inciativën dhe të thërrasë një takim në mes të të gjithë liderëve politikë në Kosovë, në mënyrë që të gjendjet një zgjidhje për të tejkaluar ngërçin politik në të cilën gjendet vendi.

Lajme

01/09/2014 22:29

Ai në emisionin Zona B në Klan Kosova ka thënë se PDK këto ditë duhet të arrijë deri te një konstatim se ka apo jo aleatë dhe të mundohet të krijojë një koalcion të gjerë qeverisës.

“Besojmë se pa vullnetin e partive politike dhe liderëve është e vështirë të dilet nga kjo situatë”.

“Mundësia më e lehtë është që të ulen të gjithë protagonistët e këtij ngërçi dhe ta zgjidhin bashkë”, ka thënë Haliti.

Ai ka bërë lutje që dikush të merr nismën, qoftë dhe Presidentja, dhe të ulen së bashku liderët, me qëllim që të gjendet një zgjidhje.

“Nuk është mirë të mbesim të bllokuar pafundësisht”.

“Unë mendoj që PDK si fituese e këtyre zgjedhjeve duhet që këto ditë që kanë mbetur para seancës së Kuvendit, të angazhohet që të arrijë në një konstatim se ku është, kemi aleatë apo nuk kemi dhe të futemi dhe të krijojmë një koalicion të gjerë, duke përcaktuar fushat. Unë mendoj që një koalicion i cili merr përsipër fusha të caktuara të institucioneve të Kosovës”, tha Haliti.

Ndërkaq, duke folur për raportet në mes të Vetëvendosjes dhe PDK-së, Haliti ka thënë se lufta ndërmjet Thaçit dhe Kurtit është politike.

Ai ka thënë se dikur Thaçi dhe Kurti kanë bashkëpunuar, andaj nuk e sheh të vështirë që të bashkëqeverisin edhe me Vetëvendosjen.

“Së pari mendoj që të dy liderët edhe Thaçi dhe Kurti janë kundërshtarë politikë dhe luftën politike VV e ka bërë kundër Thacit. Në qoftë se kthehemi në retrospektivë, këta të dy kanë bashkëpunuar dhe kanë qenë pjesë e një veprimtarie brenda strukturave të UÇK-së. Diçka ka funksionuar dikur dhe mendoj që nuk është zorshme që edhe VV të jetë pjesë e një qeverisje së ardhshme”, është shprehur ai.

“Nuk jam i sigurt, por unë besoj se Albin Kurti nuk është më patriot se Hashim Thaçi dhe duke pasur parasysh bashkëveprimtarinë me Thaçin dhe veprën e tij madhore”.

Ai ka thënë sërish se ka pasur takime mes përfaqësuesve të PDK-së dhe të gjitha partive tjera.

“Ata nganjëherë thonë se me PDK-në nuk duam të bisedojme dhe në fakt ne takohemi edhe me deputetë të LDK-së edhe me titullarë të partive dhe unë mendoj se jemi miq para se të jemi kundërshtarë politikë.

Edhe në tavolina edhe në biseda spontante mund të them se bisedojmë. Por ky ngërç, ata nuk e kanë elaboruar pse”, ka thënë Haliti.

Për vendimin e Kushtetueses, Haliti ka thënë se ka shpresuar që do t’i hapte rrugën zhbllokimit të situatës politike.

“Kam menduar se Gjykata Kushtetuese do t’i definojë gjërat pak më mirë dhe deputetëve do t’iu krijohet një mundësi ose do t’iu pamundësohet të krijohet ngërç. Tani situata është e tilllë që ka një ngërç dhe pa vullnetin e grupeve parlamentare, partive politike dhe liderëve është e vështirë të dilet nga kjo situatë”, ka thënë Haliti.