Nga subjektet politike reagojnë pasi kuptuan numrat e tyre garues në zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka hedhur shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt. Sipas shortit të hedhur, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e renditur me numrin 118, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 131, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës…

Lajme

06/01/2025 14:36

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka hedhur shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt. Sipas shortit të hedhur, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e renditur me numrin 118, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 131, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 124.

Subjektet politike garuese në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit kanë reaguar pasi kanë mësuar numrat e renditjes në fletën e votimit.

Lëvizja Vetëvendosje në Facebook ka shkruar se numri 118 është numri i 500 mijë zemrave që rrahin si një.

Kurse kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se numri 131 i bashkon qytetarët për një Kosovë më të mirë.

“Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamzën, dhe listën më të mirë të kandidatëve për deputetë, është e mobilizuar dhe e gatshme për fitore në zgjedhjet e 9 shkurtit. Numri 131 na bashkon në vizionin për një Kosovë ma të mirë. Me punë të palodhshme, përkushtim të madh dhe kompetencë të dëshmuar, bashkë do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo qytetar”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka tërhequr numrin 124. Pas hedhjes së shortit ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“124 është numri ynë! 9 shkurti është fati jonë, thirrja jonë, fitorja jonë!”, shkroi kryetari Lumir Abdixhiku në një postim në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas hedhjes së shortit ku ky koalicion mori numrin 137. Lidhur me këtë, ai tha se në numrin 137 është fitorja e Kosovës.

“Numri ynë është 137. Nën numrin 137, me 9 shkurt, janë Aleanca – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal. Në numrin 137 është fitorja e Kosovës.”, ka shkruar ai.