Nga ‘po sillen më keq se Fatmir Limaj’ te ‘propozoni tre emra’ – dy qëndrime të ndryshme të Kurtit brenda 24 orëve që po shihen si lojë politike
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, brenda vetëm një dite ka kaluar nga një gjuhë e ashpër ndaj opozitës në një ftesë për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit të ri. Një ditë më parë, Kurti kishte përdorur tone të rënda ndaj PDK-së dhe LDK-së, duke i akuzuar për sjellje politike që, sipas…
Lajme
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, brenda vetëm një dite ka kaluar nga një gjuhë e ashpër ndaj opozitës në një ftesë për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit të ri.
Një ditë më parë, Kurti kishte përdorur tone të rënda ndaj PDK-së dhe LDK-së, duke i akuzuar për sjellje politike që, sipas tij, nuk i shërbenin shtetit, transmeton lajmi.net.
Ai kishte deklaruar se “çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja”, duke lënë të kuptohej një raport i tensionuar me opozitën.
Në të njëjtin mesazh, ai kishte vazhduar me akuza të drejtpërdrejta:“Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar”, duke shtuar se “krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet”.
Por vetëm pak orë më vonë, qasja e tij ka ndryshuar ndjeshëm. Përmes një komunikate të VV-së, dy partive më të mëdha opozitare PDK-së dhe LDK-së u është bërë ftesë që “të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri”, duke u kërkuar që kandidatët të jenë “figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar… dhe jashtë skenës aktuale politike”.
Në të njëjtën deklaratë theksohet se, në rast marrëveshjeje, VV do t’i tërhiqte kandidaturat e saj për president, një lëvizje që shumëkush po e lexon si kthesë të papritur taktike.
Opozita: “Nuk ka seriozitet, është lojë politike”
Reagimet e opozitës kanë qenë të shpejta dhe refuzuese. Përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së kanë vlerësuar se kjo ofertë nuk është reale, por vetëm një manovër politike.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar prerë se partia e tij nuk hyn në këtë proces me propozime emrash: “Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete… s’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze”, ka thënë ai, duke shtuar se “s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”.
Edhe LDK ka mbajtur qëndrim kritik. Kryetari Lumir Abdixhiku ka kërkuar qartësi politike nga Kurti, duke thënë se duhet të dihet nëse ekziston vullnet për marrëveshje reale apo jo.
“Nëse do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë ne mundemi me propozu edhe emra”, ka thënë ai, duke përmendur madje se “mundet me qenë edhe Vjosa Osmani”, por vetëm nëse arrihet një marrëveshje serioze./lajmi.net/