Nga KQZ-ja tregojnë se kur do të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 14 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 14 shkurtit për subjektet politike dhe kandidatët mund të bëhet në fillim të javës tjetër.

Lajme

26/02/2021 16:17

Të paktën kështu ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

Ai tha se nesër pritet që të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Kjo do t’i hapë rrugë numërimit të votave me kusht dhe votave të ardhura me postë.

“Dy aktivitetet që po zhvillohen këtu: rinumërimi i vendvotimeve dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës, mund të themi se janë në përfundim e sipër dhe presim që të përmbyllen ditën e shtunë. Kjo na bën të mundur që të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe votave të ardhura me postë. Pas përfundimit të tyre dhe procedurave këtu në QNR, atëherë KQZ-ja është e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët dhe besojmë shumë se do të bëhet në fillim të javës”, ka thënë Elezi.