Nga komunat te shteti: Kush do t’i zotërojë pronat publike?
Ndërtesat e komunave, shkollat, qendrat mjekësore, palestrat, tokat, malet dhe prona të tjera, që aktualisht janë në pronësi të komunave të Kosovës, mund të kalojnë në pronësi të shtetit nëse miratohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Pronën Publike. Sipas një drafti fillestar të projektligjit, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë (REL), Republika e…
Lajme
Ndërtesat e komunave, shkollat, qendrat mjekësore, palestrat, tokat, malet dhe prona të tjera, që aktualisht janë në pronësi të komunave të Kosovës, mund të kalojnë në pronësi të shtetit nëse miratohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Pronën Publike.
Sipas një drafti fillestar të projektligjit, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë (REL), Republika e Kosovës do të ishte titullarja e vetme e së drejtës së pronësisë mbi pronën publike, ndërsa institucionet qendrore, komunat, kryeqyteti dhe ndërmarrjet publike do të ushtronin të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit dhe administrimit të saj.
Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë ndryshim si tendencë për centralizimin e pronës publike, dhe thotë se ai mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si komunat ushtrojnë të drejtat e tyre mbi pronën.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se një ndryshim i tillë do t’i cenonte kompetencat dhe të drejtat e komunave mbi pronën publike.
“Kjo do t’i zhvishte komunat nga çdo kompetencë dhe e drejtë e tyre”, thotë Totaj për REL-in.
Ndryshimet në Ligjin për Pronën Publike, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2023, janë duke u trajtuar nga Ministria e Drejtësisë.
Ligji aktual parasheh se institucionet qendrore dhe komunat mund të jenë bartëse të së drejtës së pronësisë mbi pronën publike. Por, sipas ndryshimeve që janë duke u përgatitur, prona publike trajtohet si pronë e Republikës së Kosovës.
Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për të shpjeguar arsyet e ndryshimit të ligjit, dhe nuk e bëri publik draftin e projektligjit.
Megjithatë, Ministria konfirmoi se ka themeluar një grup punues për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pronën Publike.
Në bazë të draftit fillestar, të cilin e ka siguruar REL-i, ndryshime janë propozuar në disa nene të ligjit.
Çfarë ndryshon me projektligjin?
Ndryshimi kryesor lidhet me atë se kush konsiderohet pronar i pronës publike.
Ligji në fuqi e njeh mundësinë që prona publike të jetë e regjistruar në emër të njësive të vetëqeverisjes lokale. Projektligji i ri propozon që Republika e Kosovës të jetë titullare e vetme e së drejtës së pronësisë mbi pronën publike.
Kjo do të nënkuptonte se komunat nuk do të ishin më pronare të pronës publike që kanë aktualisht në pronësi, por do të ushtronin të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit dhe administrimit të saj.

Ligji aktual për Pronën Publike.

Ndryshime të propozuara ka edhe në mënyrën e bartjes së pronësisë, dhënies me qira, shfrytëzimit dhe këmbimit të pronave.
Sipas ligjit aktual, me pronën publike në pronësi të Republikës së Kosovës administron Njësia për Administrimin e Pronës Publike, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në projektligj parashihet që kjo njësi të zëvendësohet me Zyrën për Pronën Publike, e cila do të ishte përgjegjëse, ndër të tjera, për regjistrin e pronave publike.

