Nga dënimi i gjuhës skandaloze të Fatos Gecit te votimi i Projektligjeve, çfarë ndodhi sot në Kuvend?

Seanca plenare e sotme e Kuvendi i Republikës së Kosovës nisi me një adresim të kryetares Albulena Haxhiu, e cila foli për standardin e gjuhës parlamentare dhe nevojën për respekt në debatet brenda institucionit. Duke iu referuar një deklarate të bërë një ditë më parë nga deputeti Fatos Geci, Haxhiu e cilësoi atë si të…

Lajme

23/04/2026 19:10

Seanca plenare e sotme e Kuvendi i Republikës së Kosovës nisi me një adresim të kryetares Albulena Haxhiu, e cila foli për standardin e gjuhës parlamentare dhe nevojën për respekt në debatet brenda institucionit.

Duke iu referuar një deklarate të bërë një ditë më parë nga deputeti Fatos Geci, Haxhiu e cilësoi atë si të rëndë, përçarëse dhe të papranueshme. Ajo theksoi se nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla, duke shtuar se debati duhet të zhvillohet mbi argumente dhe ide, transmeton lajmi.net.

Në fjalën e saj, Haxhiu ritheksoi qëndrimin se krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për liri, ishte e pastër dhe e shenjtë. Çdo tentim për ta zbehur apo njollosur atë është i papranueshëm”, u shpreh ajo, duke kërkuar që gjykimi ndaj tyre të përfundojë sa më parë.

Kryeparlamentarja reagoi edhe ndaj gjuhës seksiste të përdorur ndaj nënkryetares Vlora Çitaku, duke theksuar se Kuvendi nuk do të bëhet arenë e sulmeve gjinore. Sipas saj, një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm gratë në politikë, por edhe vetë votën e qytetarëve.

Seanca vijoi me një fjalim nga deputetja Fatma Taçi, me rastin e 23 prillit – Ditës Kombëtare të Turqve.

Në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë sot, deputetët mbajtën një minutë heshtje.

Gjatë kësaj seance, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë dhjetë projektligje të rëndësishme, përfshirë ato për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste destabilizimi të tregut, sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, shërbimet e pagesave, si dhe projektligje që lidhen me banimin social, shtetësinë dhe menaxhimin e resurseve ujore.

Po ashtu, u miratuan edhe projektligje që kanë të bëjnë me organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Njoftimi i plotë nga Kuvendi i Kosovës mbi seancën e sotshme: 

Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës filloi me adresimin para deputetëve të kryetares Albulena Haxhiu, lidhur me përdorimin e gjuhës parlamentare gjatë seancave të Kuvendit.

Në fjalën e saj kryetarja Haxhiu fillimisht rikujtoi ndërhyrjen e saj ndaj fjalës së deputetit Geci gjatë seancës së djeshme, sepse, siç tha, ajo deklaratë ishte e rëndë, përçarëse dhe e papranueshme. Kryetarja Haxhiu ritheksoi se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe se ajo vazhdon të besojë se ata duhet të kthehen në Kosovë.

“Si Kryetare e Kuvendit e dënoj pa asnjë mëdyshje këtë gjuhë dhe e bëj të qartë se nuk do të lejoj që kjo foltore të përdoret për sulme të tilla. Po, le të debatojmë me forcën e argumentit dhe ideve, por assesi me qëndrime që e cenojnë luftën tonë çlirimtare dhe ata që i dolën zot vendit në kohën më të rëndë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për liri, ishte e pastër dhe e shenjtë. Çdo tentim për ta zbehur apo njollosur atë është i papranueshëm. Gjykimi i krerëve të UCK-së është i padrejtë dhe pres që kjo të marrë fund sa më parë”, theksoi kryetarja Haxhiu.

Lidhur me gjuhën seksiste kundrejt nënkryetares Çitaku, kryeparlamentarja Haxhiu tha se Kuvendi i Kosovës nuk është dhe nuk do të bëhet arenë e sulmeve gjinore. Gjuha seksiste dhe poshtëruese ndaj grave në politikë, por edhe ndaj çdo vajze e gruaje në shoqërinë tonë, shtoi ajo, është e papranueshme dhe e turpshme.

“Unë, asnjëherë nuk do të heshti përballë kësaj gjuhe dhe nuk do të lejoj që ajo të normalizohet në Kuvend. Deputetet në këtë sallë janë përfaqësuese të zgjedhura të qytetarëve. Kush i nënçmon ato, e nënçmon edhe votën e qytetarëve”, theksoi kryetarja Haxhiu.

Seanca vijoi me paraqitjen e deputetes nga komuniteti turk, Fatma Taçi, me rastin e 23 prillit – Ditës Kombëtare të Turqve.

Po ashtu gjatë kësaj seance Kuvendi mbajti një minutë heshtje, në nderim të jetës dhe veprimtarisë së Akademik Rexhep Qosjes, i cili ndërroi jetë sot.

Gjatë punimeve të seancës së sotme Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë dhjetë projektligje: Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligjin për Shërbimet e Pagesave, Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030, Projektligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, Projektligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm, Projektligjin për Shtetësinë e Kosovës, Projektligjin për Lëndët Plasëse, si dhe Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore./lajmi.net/