Nga 31 gushti pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në QKUK
Nga nesër do të pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lajme
Kjo përshkak të rritjes së numrit të spitalizuarve me COVID-19. Hapësirat e ambulancave specialistike tani do të shërbejnë për spitalizimin e pacientëve me COVID-19.
Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, njofton të gjithë qytetarët se për shkak të rritjes së numrit të spitalizuarve me COVID-19, në klinikat e QKUK-së, me Vendim të Komitetit për ngritje të gatishmërisë dhe menaxhimit të situatës me COVID-19, nga data 31 gusht 2021, pezullohet përkohësisht puna në ambulancat specialistike në QKUK. Hapësirat e ambulancave specialistike do të shërbejnë për spitalizim të pacientëve me COVID-19”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
ShSKUK kërkon nga qytetarët që në QKUK dhe në spitalet rajonale të drejtohen vetëm për raste urgjente.
“ShSKUK, kërkon falje dhe mirëkuptim nga pacientët duke iu siguruar se menaxhmenti i ShSKUK-së është duke bërë të pamundurën për t’iu ofruar shërbimin shëndetësor të gjithë pacientëve në nevojë. Në të njëjtën kohë ju apelojmë që të vaksioniheni dhe të respektoni masat anti-Covid, në mënyrë që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë”, thuhet më tej në njoftimin e ShKUK-së. /Lajmi.net/