Newcastle gjunjëzon Chelsean
Newcastle United e ndali serinë pozitive të Chelseas duke e mposhtur me rezultat 2-0 në St James Park, në duelin e xhiros së 10-të në Premierligë. Pas një pjese të parë të dominuar me lojë dhe raste nga skuadra londineze, ajo e dyta kaloi nën gjurmë të Newcastles që pas një ore lojë u shfaq…

Sport
Newcastle United e ndali serinë pozitive të Chelseas duke e mposhtur me rezultat 2-0 në St James Park, në duelin e xhiros së 10-të në Premierligë.
Pas një pjese të parë të dominuar me lojë dhe raste nga skuadra londineze, ajo e dyta kaloi nën gjurmë të Newcastles që pas një ore lojë u shfaq jashtëzakonisht e rrezikshme në disa raste të njëpasnjëshme para se Yoan Gouffran të realizojë për 1-0 pas 68 minutash lojë kur mposhti portierin Petr Cech me një goditje të saktë me kokë nga afërsia.
Chelsea u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe ishte afër tij pas një mundësie të mire për Andre Schurrlen dhe Samuel Eto’on – në të njëjtin aksion – kurse momenti vendimtar që përcaktoi fituesin erdhi në minutën e fundit të kohës së rregullt kur sulmuesi Loic Remy realizoi pas një asistimi nga Vurnon Anita.
Newcastle ia shkaktoi Chelseas humbjen e dytë këtë sezon në Premierligë kurse për vete realizoi fitoren e katërt dhe tani gjendet në kuotën e 14 pikëve.
Jose Mourinho mbetet pa fitore në St James Park pas katër ndeshjesh si menaxher i Chelseas, një tani dhe tri gjatë aventurës së tij të parë në detyrë mes 2004-2007.