Nesër tërhiqet shorti për renditjen e partive në fletëvotimet e zgjedhjeve të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ditën e nesërme, më 4 shtator 2025, do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Kosovë më 12 tetor 2025. Ceremonia e tërheqjes së shortit do të zhvillohet në orën 11:00 në…

Lajme

03/09/2025 23:10

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ditën e nesërme, më 4 shtator 2025, do të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Kosovë më 12 tetor 2025.

Ceremonia e tërheqjes së shortit do të zhvillohet në orën 11:00 në ambientet e hotelit “Swiss Diamond” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të institucioneve relevante, vëzhgues të proceseve zgjedhore si dhe mediat, raporton lajmi.net

Nëpërmjet këtij procesi do të përcaktohet renditja zyrtare e partive, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur në fletëvotime, si për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, ashtu edhe për anëtarët e Kuvendeve Komunale.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Datë: 4 shtator 2025. Ora: 11:00. Vendi: ‘Swiss Diamond’, Prishtinë”, thuhet në njoftimin zyrtar të KQZ-së./Lajmi.net/