“Nesër, i gjithë populli në Marsh për Liri”, Hoxhaj fton qytetarët në Prishtinë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nesër Marshit për Liri në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka njoftuar se marshi do të nisë në orën 14:00, nga Sheshi…

Lajme

11/09/2026 09:05

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nesër Marshit për Liri në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka njoftuar se marshi do të nisë në orën 14:00, nga Sheshi “Skënderbeu”, transmeton lajmi.net.

“Nesër, i gjithë populli në Marsh për Liri. Në orën 14:00, bashkohemi në Sheshin ‘Skënderbeu’ për lirinë dhe drejtësinë”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ftesën për marshin ta përcjellin edhe te familjarët dhe miqtë, me synimin që pjesëmarrja të jetë sa më masive.

“Shpërndajeni këtë mesazh me familjarët dhe miqtë tuaj”, ka apeluar Hoxhaj.

Në postimin e tij, deputeti i PDK-së ka publikuar edhe një fotografi me portretet e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Në të janë vendosur mesazhet: “Kosova po pret”, “Mos mungo!” dhe “Kosova të thërret”.

Marshi pritet të zhvillohet në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së dhe me thirrje për drejtësi e liri./lajmi.net/