Nëse s’ka dialog, ka izolim të Kosovës

Zyra e baroneshës Catherine Ashton thotë se kushdo që e formon Qeverinë e re, BE-ja pret që ata të vazhdojnë dialogun me Serbinë dhe njëherësh të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Lajme

19/06/2014 09:18

 “Unë vetëm mund të them se presim nga Qeveria e re e Kosovës të vazhdojë dialogun dhe implementimin e Marrëveshjes së 19 prill 2013”, ka thënë për “Zëri”, Maja Kocijancic, zëdhënësja e Ashton.

Situata e krijuar në Kosovë ka vënë në dilemë se si do të procedohet tutje në dialogun e Brukselit.

Blloku opozitar LDK-AAL dhe Nisma, mund të kenë votat e Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar Qeverinë, por me disa kushte.

E njëra prej kushteve të Vetëvendosjes është edhe pezullimi i dialogut.

Por, i emëruari për kryeministër nga koalicioni i opozitës, Ramush Haradinaj, thotë se dialogu nuk duhet ndërprerë.

“Nuk mund të ndërpresim dialogun me Serbinë, përkundrazi duhet shikuar se si të përfitojmë nga ky dialog si shtet”, ka thënë ai.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tregon për “Zëri” se janë duke biseduar me Vetëvendosjen për të gjetur një zgjidhje për këtë temë.

“Dialogu është një temë që me Vetëvendosjen po e diskutojmë dhe mbetet i hapur”, është shprehur Mustafa.

Ndërkaq, jozyrtarisht një nga ambasadorët e Quintit, i ka thënë gazetës, se nëse dialogu ndërpritet, Kosova rrezikon të prish raportet me ndërkombëtarët.

“Jo vetëm BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuar, bëjnë thirrje për vazhdimin e dialogut. Në fund të fundit Kosova është shtet, dhe mund të vendosë për ta ndërprerë, por njësoj duhet t’i ketë parasysh dhe t’i pranojë edhe pasojat, e ato janë izolimi karshi Evropës, e kjo nënkupton shumë”.