Nepotizëm edhe në Universitetin e Prizrenit

Në Universitetin e Prizrenit po thuhet se ka nepotizëm. Në këtë universitet, kohëve të fundit është pranuar djali i Ushtruesit të Detyrës së Rektorit, Zehadin Shemsedini, pa i përmbushur kriteret profesionale.

Lajme

29/03/2014 08:26

Një burim i “Koha Ditore”, ka thënë për këtë gazetë se vet djali i rektorit është angazhuar në këtë universitet si asistent, pa plotësuar kriteret.

“Pa asnjë kriter e ka pru djalin. Ai e ka vetëm fakultetin. Ai nuk ka master”.

Emri i djalit të rektorit, Afrim Shemsedini figuron në listën e asistentëve dhe ai është i angazhuar në lëndën e statistikës.

“Jam asistent. Tash jam angazhuar këtu në Universitetin Publik, e kam qenë më herët në fakultet privat”.

“Nuk besoj që ka pasur ndonjë ndikim baba në përzgjedhjen time. Ma merr mendja që nuk ka pasë. Ata që kanë hap konkurs e dinë se a ka pasur ose jo”.

Ndërkaq, Rektori Zehadin Shemsedini pranon se djali i tij është angazhuar si asistent në këtë universitet.

“Ai është angazhuar për ushtrime numerike në lëndën statistikë. Ai është asistent e jo profesor”.

“Angazhimet i ka bërë Fakulteti Ekonomik, jo unë. Angazhimin e bën fakulteti, dekanati i fakultetit. Ndërsa unë i nënshkrauj kontratat për të gjithë dhe jo vetëm për atë. Angazhimin e bëjnë ata, ndërsa unë i nënshkruaj”, ka thënë për “Koha Ditore”, Zehadin Shemsedini.