Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë, KIESA dhe LuxDev për skemën e granteve për energji të pastër
Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë (ME), KIESA dhe LuxDev për Skemën e Granteve për Energji të Pastër që po zbatohet përmes projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari,…

Lajme
Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Ekonomisë (ME), KIESA dhe LuxDev për Skemën e Granteve për Energji të Pastër që po zbatohet përmes projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë, përfaqësues nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli tha se me Skemën e Granteve për Energji të Pastër, po i japin bizneseve një mbështetje konkrete që do t’i ndihmojë të ulin kostot e energjisë, të rrisin konkurrencën dhe të përgatiten më mirë për tregun e liberalizuar.
Ndërsa, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari tha se nga kjo skemë do të përfitojnë ndërmarrjet e mikro-të vogla dhe të mesme, me fokus ndërmarrjet më të prekura nga liberalizimi i tregut të energjisë.
Kurse, Eric Dietz, ambasador i Luksemburgut në Kosovë, tha se buxheti prej 1 milion eurove për energji të pastër, shënon një hap në përkushtimin e përbashkët për të avancuar tranzicionin e Kosovës në energji dhe po ashtu, rezistencën ndaj klimës.
Kjo skemë kap shifrën prej 1 milion euro dhe financohet nga Qeveria e Luksemburgut, dhe zbatohet nga LuxDev në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe KIESA-n.
Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, KIESA-s dhe LuxDev.
Brenda kësaj skeme do të përkrahen bizneset në:
• efiçiencën e energjisë përmes investimeve në izolim të ndërtesave, • sisteme solare fotovoltaike (për prodhim të energjisë elektrike),
• sisteme solare termike (për ngrohje të ujit),
• bateri për sisteme solare FV, si dhe
• shndërrues frekuencor për të rritur efiçiencën e pajisjeve që prodhuesit tashmë i kanë në përdorim.
Skema e Granteve për Energji të Pastër do të ofrojë:
• deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
• deri në 25,000 euro për masa të kombinuara. Përveç financimit, skema do të ofrojë edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit, duke siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata.
Të gjitha detajet mbi mënyrën e aplikimit, kriteret dhe afatet do të publikohen në:
• faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë,
• faqen e KIESA-s,
• si dhe faqen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.