Nënkryetari i Ferizajt në konflikt interesi, lënda dërgohet në prokurori

Agjencia kundër korrupsionit ka konstatuar se nënkryetari i Ferizajt, Xhavit Zariqi është në konflikt interesi dhe se rastin e tij e adresojë të mërkurën në prokurorin kompetente, për shkak se i njëjti nuk ka dashur që t’i shmanget konfliktit të interesit në të cilin ndodhet që njëkohësisht mban postin publik si nënkryetar i Komunës së Ferizajt dhe është person i autorizuar në biznesin privat Kooperativa Bujqësore “Xhiki”.

Lajme

03/06/2015 21:46

“Më datën 03.02. 2015 Agjencia ka hapur rastin nën dyshimin e bazuar se zyrtari në fjalë është në konflikt të interesit. Në ndërkohë që janë ndjekur të gjitha procedurat dhe afatet ligjore që ti jepet mundësia për shmangieje nga konflikti ekzistues i interesit. Zyrtarit i është bërë e ditur se gjatë ushtrimit të funksionit publik si zyrtar i lartë nuk mund të ushtroj funksion menaxhues në biznes privat, kjo për faktin se ligji për parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit publik e ndalon një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Përkundër afateve ligjore të dhëna nga Agjencia duke përfshirë edhe shkresën paralajmëruese, Zeqiri nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për tu larguar nga funksioni i personit të autorizuar në biznesin privat në Agjencinë për regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, për të shmangur gjendjen e konfliktit të interesit. Andaj si rrjedhojë Agjencia ka kërkuar nga institucioni ku zyrtari i lartë e ushtron funksionin që të fillojë procedurat e shkarkimit të tij, si dhe rastin e ka adresuar për fillim të procedurave kundërvajtës në gjykatën kompetente.