Në rrjetet sociale asgjë nuk është ashtu siç duket

Ne mendojmë se jeta e personazheve të njohur është perfekte. Filtrat nëpër fotografi, rregullimet me fotoshop, operacionet e tyre plastike që i bëjnë të duken bukur, komoditeti në të cilin jetojnë dhe gjithë gjërat e bukura dhe të shijshme që postojnë, na bëjnë të mendojmë se jeta e tyre është ndër më të përsosurat që ekzistojnë. 

Fun

01/06/2018 14:08

Jo vetëm për ta, por edhe për miqtë tanë ne mendojmë të njëjtën gjë. Ne shqetësohemi nëse ata nuk postojnë për një kohë të gjatë, ndërkohë mendojmë se janë mirë nëse i shohim të postojnë vazhdimisht fotografi apo video në rrjetet sociale.

Askush nuk shpërndan për të ndarë me të gjithë se si ndihet në të vërtetë. Është detyrë e atyre që na duan me të vërtetë, të na bëjnë të ndihemi mirë. Dikush që na respekton, na pyet se si jemi. Dikush që na do, përveçse na pyet se si ndihemi, na ndihmon t’i zgjidhim problemet dhe të ndihemi më mirë në ditët tona më të vështira. Askush nuk mund t’i kuptojë dhimbjet që mund të fshihet pas një buzëqeshjeje të rreme në rrjetet sociale, përveç atyre që na njohin dhe na duan.

Njerëzit mendojnë se depresioni është njësoj si trishtimi. Njerëzit mendojnë se depresion do të thotë të qashësh apo të qëndrosh i/e heshtur. Depresioni në të vërtetë është të qeshësh, kur në fakt dëshiron të qash. Është të flasësh, kur dëshiron të qëndrosh i/e heshtur. Është të pretendosh se je i/e lumtur, kur në fakt përbrenda po ndihesh gjithmonë e më keq. Robbin Williams ka thënë: “Unë mendoja se gjëja më e keqe në botë ishte të përfundoje i vetëm, por jo. Gjëja më e keqe në botë është të përfundosh me njerëz që të bëjnë të ndihesh vetëm”.

Ne nuk e dimë se çfarë po kalon realisht dikush. Ne nuk e dimë se sa të vështirë mund ta ketë jetën ai personazhi publik që ka dalë në foto duke qeshur. Ne nuk e dimë se si po ndihet një miku ynë, nëse nuk e takojmë dhe e pyesim atë përballë se si ndihet. Rrjetet sociale janë një fasadë e bukur për të fshehur ato që ndiejmë vërtet, por janë dhe një mënyra e duhur për të na bërë të ndihemi keq me jetën tonë.

Duhet të kuptojmë se të gjithë kanë probleme, ashtu siç kemi edhe ne në jetën tonë, por nuk duhet të ndihemi keq se shohim sa “e përsosur” është jeta e dikujt krahasuar me tonën, vetëm përmes disa fotografive në Facebook apo Instagram, shkruan bota.al. Nuk është, sepse çdokush ka problemet dhe hallet e veta, të cilat normalisht nuk dëshiron t’i tregojë në rrjete sociale, por në shtëpi me një familjar, apo në kafe me një mik të ngushtë.