Në pritje të Dokumentit për Sirinë

Sot pritet që Ekipi i OKB’së ta dorëzojë raportin për përdorimin e armëve kimike në Siri. Raportohet se dokumenti do ta konfirmojë përdorimin e tyre, por nuk do ta drejtojë gishtin ndaj përdoruesit.

Bota

16/09/2013 13:16

Një raport i OKB’së pritet që të hënën të konfirmojë nëse në Siri janë përdorur armë kimike në luftën civile, por ai mund të mos e drejtojë gishtin ndaj dikujt për përdorimin e tyre.

Rebelët dhe regjimi i presidentit Bashar al Assad kanë akuzuar njëri-tjetrin për orkestrimin e një sulmi kimik në qytetin e Ghouta më 21 gusht, për të cilin si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe qeveria ruse pajtohen se ka ndodhur.

Administrata Obama vlerëson se janë vrarë 1,429 njerëz gjatë incidentit përfshirë edhe fëmijë, dhe për këtë i ka vënë fajin veçanërisht qeverisë siriane për përdorimin e gazit vdekjeprurës.

Por Moska nuk u pajtua, duke kundërshtuar mundësinë që Assad të këtë faj në përdorimin e toksinës vdekjeprurëse. Rusia ka akuzuar rebelët për incidentet e mëparshme të luftës.

Detyra parësore e inspektorëve të OKB’së ishte thjesht për të konfirmuar nëse sulmi ka ndodhur dhe të identifikojë agjentët të cilët kanë marrë pjesë në sulm – caktimi i një kryesi të sulmit nuk ishte qëllimi kryesor. Megjithatë, thuhet se dokumenti do të raportojë se vetëm ushtria e Assad’it ka aftësinë për të bërë një sulm të tillë në shkallë të gjerë.

Pavarësisht nëse identifikohet se sulmi ka ndodhur, dhe identifikohet se kush është fajtori, Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki- moon tha të premten se do të jetë një ‘raport dërmues’, dhe se qeveria e Assad’it “ka kryer krime të shumta kundër njerëzimit”.

“Prandaj, unë jam i sigurt se procesi i llogaridhënjes do të jetë mjaftë i gjatë”.

Organi ndërkombëtar vlerësoi se më shumë se 100,000 njerëz kanë vdekur në luftë, me apo pa përdorimin e armëve kimike.

Raporti vjen në fund të një marrëveshje paraprake mes SHBA’së dhe Rusisë për Sirinë për t’i hequr Sirisë arsenalet të armëve kimike, marrëveshje e cila u arrit këtë fundjavë. Sipas planit, Siria do të ketë afat vetëm një javë për deklarimin e vendndodhjes së armëve kimike.

Inspektorët do të mbërrijnë deri në nëntor dhe armët mund të shkatërrohen në vend ose transferohen jashtë vendit për shkatërrim.

Marrëveshja ambicioze u bë e njohur të shtunën në mbrëmje pas takimit mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov.

Ajo është konsideruar si një fitore diplomatike nga dy anët si nga Shtëpia e Bardhë ashtu edhe nga Kremlini.