Në mes të dështimit dhe mrekullisë

Vetëm mrekullia mund të shpëtojë politikën kosovare prej dështimit të madh, në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Opinion

02/04/2014 09:52

Mrekullia, si dukuri, ka definicione të shumta: politike, teologjike, shoqërore.

Duket që njëri prej tyre, që gjithsesi mund të akomodohet mirë në rrethanat e tanishme politike në Kosovë është ky: Mrekullia është dukuri që ndodhë në praktikë, ndërsa në teori nuk është e mundshme. Apo, bëhet ajo që nuk ta merre mendja. Thënë ndryshe.

Zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, sipas të gjitha paralajmërimeve që mund të hetohen, të lexohen dhe të dëgjohen, do të duhej të mbahen në harkun kohor 25 maj, 15 qershor. Nuk ka dyshim që asnjëra parti politike në Kosovë, nuk është e gatshme të rrezikojë mbajtjen e zgjedhjeve me 22 qershor e tutje, për shkak të pushimeve verore.

Pra, zgjedhjet mbahen jo më herët se me 25 maj, jo më vonë se me 15 qershor, ose në fund të shtatorit.

Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme, në aspektin ligjor. Kjo nënkupton që në teori, Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga mund t’i shpallë zgjedhjet jo më vonë se 45 ditë dhe jo më herët se 30 ditë prej ditës së vendimit të saj.

Çka është në teori e mundshme, (këtu është e anasjellta e mrekullisë), në praktikë nuk është. KQZ-së i duhen patjetër 45 ditë për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Nuk është rendi i 30-të ditëve.

Kjo do të thotë që për t’i mbajt zgjedhjet me 25 maj, Presidentja e Kosovës, Jahjaga, jo më larg se me 10 prill duhet t’i shpallë zgjedhjet, apo, ta zëmë, të njëjtën ditë kur Kuvendi i Kosovës do të shpërbënte veten. Me sukses, apo, me 80 vota për.

Nëse data e zgjedhjeve do të jetë 15 qershori, ky vendim i Presidentes duhet të bëhet publik jo më vonë se me 30 prill.

Kështu qëndrojnë hesapet.

Duhet përsëritur edhe një herë: Poqëse dikush në Kosovë mendon që zgjedhjet mund të mbahen 30 ditë pas shpalljes së tyre, ai, mbase nuk është qytetar i Kosovës. Dihet se çfarë pasojash mund të dalin me një mësymje të këtij lloji. Edhe një herë, në këtë rast, do të duhej ritheksuar që Kosova, skena politike e vendit, sot e kësaj dite po i vuan pasojat e të gjitha llojeve të mundshme, për mënyrën se si u organizuan zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit 2010.

Por ne nuk mësojmë as prej gabimeve tona. E ai i mençmi, thuhet, mëson prej gabimeve të të tjerëve.

Çfarë duhet të bëjë Kosova, në ditët e ardhshme, për të çelë dyert e zgjedhjeve të hershme pranverore?

Bëhet fjalë pra për punë dhe detyrime me interes jetik për shtetin e Kosovës. Ndërsa këto obligime, prej vetë natyrës së tyre, e kanë thuaja të pamundur që të përthekohen, të adresohen si duhet, me afate që njohin ditë.

Pra, do të duhej miratuar një Ligj të ri për zgjedhjet e përgjithshme, zbatimi praktik i të cilit, duhet thënë hapur, kërkon 6-12 muaj kohë prej tash. Kjo do të thotë që edhe në maj, qershor, edhe në shtator, Kosova do të duhet të organizojë zgjedhje me Ligjin e vjetër.

Kaq sa për reformën zgjedhore, e cila ka dështuar në shkallë qind për qind.

Kuvendi i Kosovës, me 80 vota për, për pak ditë, më së shumti, për pak javë, është i obliguar të merr vendimin për Misionin e ri ndërkombëtarë të sundimit të Ligjit (trashëgimtarin e EULEX-it), për pasojat e SITF-it (gjegjësisht, për themelimin e një Gjykate Speciale për krimet në Kosovë në vitet 1999, 2000, konsekuencë kjo e hetimeve të Clint Williamson-it), dhe për transforminin e FSK-në në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Në tri këto vendime kapitale, duhet e ashtuquajtura shumica e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës, e cila nënkupton edhe votën e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë në parlament.

EULEX-i dhe SITF-i njohin fundin e majit si afat krejtësisht të mbramë për vendimet e domosdoshme të Kosovës. Natyrisht, këto afate vlejnë nëse zgjedhjet nuk mbahen në maj apo qershor. Në të kundërtën, vendimet duhet të merren shumë shpejt.

Transformimi i FSK-në në Forcat e Armatosura të Kosovës, nëse nuk ndodhë tash, pasiqë Gjykata Kushtetuese e Kosovës kofirmoi validitetin legal të amendamenteve kushtetuese, mund të mos bëhet deri në vitit 2015, në variantin e mirë. Apo, mund edhe të mos ndodhë fare. Shkaqet dihen.

Tash pra mund të kuptohet fare qartë se çka është mrekullia, në politikën kosovare, në prillin e vitit 2014.

Rrëfimi se si mbërritëm deri në këtë stad, kur politika kosovare, në variantin më të keq, do të dështojë me themel, e në variantin më të mirë të mundshëm, do të mbijetojë, por me fasha, vrraga dhe plagë të llojllojshme, është i gjatë, dhe në masë të madhe, i njohur për të gjithë.