Në mbështetje të çlirimtarëve – më 17 tetor protestë gjithëkombëtare në Tiranë, Krasniqi: Shqiptarët në këmbë për drejtësi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për një protestë gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Përmes një postimi publik, Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda…

Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për një protestë gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi publik, Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë trojeve, që të bashkohen në këtë protestë si shenjë qëndrese, uniteti dhe respekti për luftën çlirimtare të Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Shqiptarët në këmbë për drejtësi! Më 17 tetor, ora 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ të Tiranës, protestë gjithëkombëtare në mbrojtje të çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë,” shkroi Krasniqi.
Ai tha se kjo protestë duhet të shërbejë si një zë i përbashkët i shqiptarëve kudo që jetojnë, për të mbrojtur, siç u shpreh ai, historinë, dinjitetin dhe luftën për liri.
“Nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva deri në diasporë, një zë, një qëndrim, një kauzë: Drejtësi për çlirimtarët tanë!”
Kjo protestë po organizohet në kohën kur në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdojnë proceset gjyqësore ndaj disa prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./lajmi.net/