Në Bruksel, për energjinë

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë diskutojnë në Bruksel për procesin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë.

Lajme

26/11/2013 14:05

Delegacioni i Kosovës mori pjesë në takimin e radhës për çështjet e energjisë që u mbajt në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Në këtë takim u bisedua për procesin e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, përkatësisht për hapat që duhet të merren nga secila palë, në mënyrë që procesi i zbatimit të jetë në koherencë me marrëveshjen dhe me afatet e parapara.

Palët u fokusuan në diskutimet për të përafruar qëndrimet rreth planit për veprim, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes përgjatë procesit të zbatimit të Marrëveshjes për energjinë të arritur me 8 shtator 2013.

Palët janë pajtuar që të vazhdojnë konsultimet më qëllim që sa më parë të finalizohet plani për veprim dhe të fillojë zbatimi praktik i kësaj marrëveshje me të cilën synohet vendosja e një bashkëpunimi ndërshtetëror në fushën e energjisë mes Kosovës dhe Serbisë, në bazë të parimeve të Bashkimit Europian dhe Traktatit të Komunitetit të Athinës për energji për Europën Juglindore.

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ishte në përbërje: Naim Bejtullahu kryeshef i KOSTT dhe kryesues i grupit, Elona Cecelia koordinatore, Luan Morina udhëheqës i Departamentit për Energji dhe Miniera në MZHE, Kadri Kadriu zëvendëskryeshef i KOSTT, Sabri Musiqi drejtor i departamentit të sistemit të operimit në KOSTT, Skender Gjonbalaj drejtor i departamentit të operimit të tregut, Merita Kostari anëtare e Bordit të Zyrës se Rregullatorit për Energji, Visar Xani këshilltar politik dhe media i Zëvendëskryeministres Tahiri, Karagutoff Gorge  nga KEDS dhe Sokol Elmazaj këshilltar ligjor në KEDS.

(Kosovapress)