Ndotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse
Ndotja e mjedisit nga hidrokarburet sjell sëmundje dhe varfëri në zonat naftënxjerrëse
Lajme
Në fushat e naftës në jug të Shqipërisë, banorët që jetojnë pranë puseve vuajnë pasojat shëndetësore dhe ekonomike që sjell ndotja e tokës, e ajrit dhe e ujërave nga kompanitë hidrokarbure, ndërkohë që autoritetet duken të pafuqishme për t’a frenuar dëmin që ky aktivitet ekonomik po lë në mjedis dhe në jetën e qytetarëve. Materiali në vazhdim është produkt i bashkëpunimit mes VOA dhe rrjetit investigativ BIRN
Me 1 prill 2015, një pus nafte i kompanisë Bankers Petroleum i shenjuar me emrin P29A shpërtheu në fshatin Marinzë, 10 kilometra larg qytetit të Fierit, duke e detyruar qeverinë të urdhëronte evakuimin e zonës për shkak të çlirimit të gazit.
Sipërfaqja e tokës përreth vendit të shpërthimit të fontanës ishte shkatërruar dhe ngado shpërthenin “gajzera” të fuqishëm argjileje të holluar. Puset e ujit të pijshëm që gjendeshin në oborret e banesave u kthyen në shatërvanë balte, ndërkohë që banorët e shokuar nga ajo që po ndodhte, nisën t’u drejtoheshin qendrave shëndetësore me simptoma dhe shqetësime të ndryshme.
Pas shpërthimit të pusit P29A, në fshatin Marinzë shkuan dhjetëra specialistë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Instituti i Shëndetit Publik, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për të monitoruar dëmet që i ishin shkaktuar mjedisit dhe shëndetit të banorëve.
Një raport monitorimi i hartuar nga ISHP-ja pas shpërthimit të pusit P29A, një kopje e të cilit është marrë nga BIRN nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi, zbulon se banorët e fshatit Marinzë vuajnë nga një seri problemesh shëndetësore, që vijnë si pasojë e ndotjes së shkaktuar nga industria hidrokarbure në këtë zonë.
“Kemi shumë shumë probleme me ajrin, me ushqimet, perimet, zarzavatet që kemi këtu. Është bërë e padurueshme,” shprehet Ridvan Azizi, një prej banorëve të fshatit Zharrëz, shtëpia e të cilit ndodhet vetëm pak metra larg një grupi pusesh të kompanisë Albpetrol.
“Ngrihesh në mëngjes, ke erë sere, erë nafte, nuk di ç’të them,” shtoi ai.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, zona e Patos Marinzës, për shkak të industrisë shumëvjeçare të hidrokarbureve është një nga tre zonat më të ndotura në Shqipëri – nga 31 zona të nxehta mjedisore ose ‘hotspote’ të identifikuara.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në këtë fushë naftëmbajtëse gjenden mijëra pellgje me mbetje hidrokarburesh, dhjetëra hektarë tokë bujqësore e ndotur dhe më shumë se 100 kilometra lumenj e përrenj që transportojnë çdo ditë drejt detit Adriatik mbetje të industrisë së naftës.
Edhe pse kjo ndotje industriale vazhdon prej dekadash, institucionet përgjegjëse për monitorimin e mjedisit apo të shëndetit të qytetarëve nuk parashikojnë në programet e punës së tyre vjetore kryerjen e analizave të specializuara për pasojat që ndotja sjell në shëndetin e popullatës.
“Uji këtu është i ndotur, nuk pihet fare. E blejmë, edhe atë që blejmë kot, edhe ato botet që mbushin, këtu i mbushin. Është i ndotur nga shpërthimet e Bankers-it. Edhe shtëpitë që na kanë rrëzuar. Ambientin e kemi shumë-shumë të keq,” shprehet Lumturi Rredhi nga fshati Zharrëz.
“Ajri, këtu në mëngjes nuk ngopesh dot me frymë. Del natën, po të kesh ndonjëherë ndonjë rast që të dalësh, më mirë të vdesësh se sa të dalësh jashtë. Është shumë shumë i ndotur,” shtoi ajo.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet vrojtimeve në terren, intervistave me banorë dhe mjekë të zonës si dhe mijëra faqe dokumente të siguruara nga institucionet vendore dhe ato qendrore nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, tregojnë se nxjerrja naftës në fushën e Patos-Marinzës, në vendburimin e Visokës në Hekal dhe në vendburimet e tjera në zonën e Mallakastrës, si dhe përpunimi i saj në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh vazhdojnë të thellojnë pasojat e rënda për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të këtyre zonave.
Në lidhje me ndotjen e konstatuar nga hidrokarburet në Patos-Marinzë, Visokë dhe Ballsh, BIRN kërkoi komente duke i dërguar pyetje të detajuara kompanive nxjerrëse të naftës Albpetrol, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Bankers Petroleum, si edhe asaj përpunuese të naftës Ionian Refining and Trading Company, IRTC.
Në përgjigje të kërkesës që BIRN i drejtoi Albpetrol-it lidhur me monitorimin mjedisor në zonën ku kjo shoqëri ushtron aktivitetin, kompania vuri në dispozicion disa raporte të monitorimit mjedisor të përpiluar gjatë vitit 2016.
Këto raporte të Institutit të Studimeve Ambientale për llogari të Albpetrol, vlerësojnë se cilësia e ajrit në mjediset pranë aktiviteteve të nxjerrjes dhe transportit të naftës ka qenë brenda normave për industrinë, por megjithatë, ujërat e shkarkimeve teknologjike përbëjnë shqetësim për kompaninë.
“U vërejt që vetëm atje ku kryhet plotësisht procesi i dekantimit, përbërja e këtyre ujërave është brenda normave të lejuara ref. VKM Nr 177, dt 31.03.2005. Në rast se këto ujëra derdhen pa kaluar procesin e dekantimit të plotë, përbërja e tyre është me tregues të ndotjes mjaft më të lartë se normat respektive”, thuhet në raportin e tre-mujorit të parë të vitit 2016 të Albpetrol.
Në të njëjtin raport pasqyrohet fakti se në qendrat e prodhimit të naftës, si në Ballsh, Patos e Kuçovë, vihet re një sasi e konsiderueshme sabie naftore, që gjendet e shpërndarë pranë puseve e grupeve në sektorë të ndryshëm.
“Këto, me sa konstatuam gjatë monitorimit të mjedisit në qendrat e prodhimit të naftës janë burim ndotje të ajrit me anë të gazrave që çlirohen nën veprimin e temperaturës, apo të ujërave të përrenjve e lumenjve si dhe tokave të fermerëve që gjenden pranë këtyre puseve apo gropave, që sidomos gjatë shirave fryhen dhe shkaktojnë ndotjen e tyre,” thuhet në këtë raport.
Në një përgjigje me shkrim për BIRN, kompania Bankers Petroleum u shpreh se impakti në mjedis i punës së saj monitorohej nga një numër institucionesh shtetërore, si Ministria e Mjedisit, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
“Cilësia e ajrit, tokës dhe ujit në zonat ku ne operojmë është brenda parametrave të lejuar. Bankers Petroleum ka një program gjithëpërfshirës të monitorimit që përfshin një gamë të madhe të çështjeve mjedisore, të tilla si ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, dherat, cilësinë e ajrit dhe zhurmën,” tha kompania.
“Programi i monitorimit është zhvilluar jo vetëm për të siguruar përputhjen me licensat aktuale operacionale dhe standardet e pranuara ndërkombëtare, por gjithashtu për të ofruar një vlerësim gjithëpërfshirës të një sërë kushtesh mjedisore,” shtoi ajo.
Tre kompanitë e tjera të nxjerrjes së naftës, Transoil Group, TransAntlantic Albania Ltd dhe Ionian Refining and Trading Company, IRTC nuk iu kthyen përgjigje pyetjeve të BIRN.