Ndërrimi taktik i PDK-së

Ndërrimi i kandidatit për kryeparlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, nga analistet politikë është cilësuar si një ndërrim taktik. 

Lajme

12/09/2014 09:09

Me këtë lëvizje, sipas tyre, PDK ka synuar që të propozojë një kandidat i cili edhe ashtu pa një marrëveshje politike nuk mund të sigurojë më shumë vota sesa Aliu.

Analistët konsiderojnë se me këtë ndërrim kandidatësh, megjithatë më së shumti është dëmtuar imazhi i Agim Aliut.

Ata kanë vlerësuar se fillimisht PDK ka qenë dashur të konsumojë propozimin e seancës së kaluar e cila është vazhdim i seancës së ardhshme, dhe më pas të propozohet kandidatura e Arsim Bajramit.

Për analistin politik nga KIPRED-i, Albert Krasniqi, kandidatura e Agim Aliut është përdorur vetëm për të pasur të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe se PDK nuk e ka trajtuar mirë kandidatin e saj.

“E para, PDK është dashur me vazhduar me kandidatin e kaluar, për shkak se tashmë është nisur një procedurë me të. Do të ishte e padinjitetshme ndaj vetë kandidatit të PDK-së, që ta ndërrojë, sepse i bie qe këtë figurë PDK e ka përdorur vetëm për ta konsumuar herën e parë, në mënyrë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kështu që është trajtim jo i mirë ndaj kandidatit, duke mos e konsideruar si kandidat serioz”, ka thënë Krasniqi.