Naxhi Berisha, i riu me më së shumti gola në Kosovë

Sulmuesi i ri i Prishtinës, Naxhi Berisha, vazhdon të tregojë paraqitje fantastike në Superligën e Juniorëve, gjë që e dëshmoi edhe të shtunën në fitoren e bardhë e kaltërve kundër Trepçës (3-2). Berisha ishte një nga realizuesit e tre golave, me ç’rast edhe u bë aktualisht golashënuesi më i mirë në ligën U19 të Kosovës…

Sport

02/05/2023 17:15

Sulmuesi i ri i Prishtinës, Naxhi Berisha, vazhdon të tregojë paraqitje fantastike në Superligën e Juniorëve, gjë që e dëshmoi edhe të shtunën në fitoren e bardhë e kaltërve kundër Trepçës (3-2).

Berisha ishte një nga realizuesit e tre golave, me ç’rast edhe u bë aktualisht golashënuesi më i mirë në ligën U19 të Kosovës me 16 gola.

Ai konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë në gjeneratën e tij, marrë parasysh aftësinë që zotëron për të nuhatur golin.

Duhet cekur se, 18-vjeçari në janar kishte nënshkruar kontratë profesionale me Prishtinën dhe është në pritje të debutimit me ekipin e parë. Talenti prishtinas në të kaluarën kishte pasur minuta në turneun përkujtimor ‘Rama-Domi’, event që iu dedikohet legjendave të futbollit kosovar, Fevzi Rama e Faton Domi.

Berisha ishte pjesë edhe e Kombëtares U19 të Kosovës, ku kishte zhvilluar dy ndeshje kundër Maqedonisë së Veriut. Verën e kaluar ai kishte qenë në prova edhe te gjiganti kroat Hajduk Split, ndërsa aktualisht thuhet se ka interesim prej disa klubeve nga jashtë vendit.