“NATO nuk e ka çliruar Kosovën”, çfarë thoshte komunikata e VV-së të cilën e zhdukën nga faqja e partisë?

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar që t'i fshijë disa komunikata të disa viteve më herët. Nuk dihet nëse si pasojë e ndryshimit të qëndrimeve ose mundësisë për të ardhur në pushtet, por pas komunikatës për Ibrahim Rugovën, Vetëvendosje ka fshirë edhe komunikatën për intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Lajme

02/02/2021 19:02

Lajmi.net e ka ruajtur përmbajtjen e kësaj komunikate e cila tashmë nuk ekziston në ueb-faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.

Në paragrafin e parë të kësaj komunikatë nga VV thuhet se të gjitha rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë riafirmuar integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës Federale Jugosllave mbi Kosovën.

VV në këtë komunikatë thotë se intervenimi i NATO-s nuk kishte autorizim “ab initio” të OKB-së që nënkupton se nuk kishte miratimin nga fillimi për të ndodhur. Por pyetja që Vetëvendosje e shtron në këtë komunikatë është se çfarë ka prodhuar ky intervenim dhe a është çliruar Kosova apo është ruajtur sovraniteti territorial i Jugosllavisë mbi Kosovën?

Në asnjërën rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar për Kosovën nuk është autorizuar përdorimi i forcës nga ndonjë entitet i jashtëm, përveç se u është bërë thirrje palëve në konflikt që të ndalin dhunën. Bile-bile, në të gjitha këto rezoluta është riafirmuar sovraniteti dhe integriteti territorial i RFJ-së. Pra, nuk ka pasur autorizim të OKB-së për bombardimet e NATO-s, edhe pse disa konsiderojnë se me aprovimin e Rezolutës 1244 realisht miratohen bombardimet e NATO-s, por ky nuk është autorizim ab initio. Në fund të fundit, nuk është edhe aq e rëndësishme se a ka qenë ky intervenim legal, sa e rëndësishme është të zbërthehet se për çfarë në të vërtetë është bërë ky intervenim?! Është çliruar Kosova me intervenimin e NATO-s apo është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë?!“, thuhet në paragrafin e parë të komunikatës që tashmë është fshirë.

Në zhvillimin e kësaj komunikate, Vetëvendosje iu referohet shkrimeve të botuara në revistën “American Journal of International Law”, duke thënë se aksioni i NATO-s ishte i dizejnuar për të shtrënguar Jugosllavinë të pranojë planin e paqes për Kosovën.

VV i referohet librit të Wesley K. Clark ku thotë se me intervenim tokësor do të shpëtoheshin më shumë njerëz, dhe së këndejmi, Vetëvendosje thotë se shqetësimi i NATO-s nuk ka qenë për ta zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile. Madje, VV pretendon se NATO e ka ditur se dhuna e forcave të armatosura serbe pas bombardimeve të NATO-s do të ashpërsohet.

“Shumë ekspertë, posaçërisht ata të së drejtës ndërkombëtare, në esetë e tyre, të botuara kryesisht në American Journal of International Law, konsiderojnë se aksioni i NATO-s ishte disenjuar për të shtrënguar Qeverinë Jugosllave që të pranoj planin e paqes për Kosovën dhe për më tepër, këtë e thotë edhe gjenerali Wesley K. Clark në librin e tij “Të bësh luftë moderne”(faqe 469). Madje-madje, vetë gjenerali Wesley K. Clark e pranon se sikur të kishin filluar që në fillim përgatitjet për intervenim tokësor do të shpëtoheshin shumë njerëz të pafajshëm: “Jam i bindur që planet dhe përgatitjet për intervenim tokësor e kanë bindur Millosheviqin që të dorëzohet”(“Të bësh luftë moderne”, faqe 471)

Pra, vërehet se NATO nuk ka qenë edhe aq e shqetësuar për të zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Edhe këtë e dëshmon vetë deklarata e gjeneralit Wesley K. Clark, komandant suprem i NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë, i cili thotë se ashpërsimi i dhunës dhe mizorive të forcave serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ka qenë krejt i parashikueshëm.”, thuhet gjithashtu në paragrafet 2 dhe 3 të kësaj komunikate.

Vetëvendosje i referohet gjithashtu edhe Noam Chomsky-t, një filozof i majtë amerikan i cili ka qenë kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe i cili e ka konsideruar sulmin e NATO-s si terrorist.

Ata përdorin argumentin e Chomsky-t ku thotë se NATO e ka rënduar katastrofën në Kosovë pasi sipas tyre deportimi i shqiptarëve jashtë vendit ka ndodhur pas intervenimit të NATO-s dhe pjesa dërmuese e vrasjeve kanë ndodhur në këtë kohë.

VV në këtë komunikatë thotë se largimi i KVM-së nga Kosova e shpërfaq faktin se bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë e interesuar për fatin e qytetarëve të Kosovës.

Në këtë komunikatë VV citohet shkrimtar serb Vladimir Arsenijeviq i cili thotë se NATO e ka mbështetur Millosheviqin dhe gjithashtu thotë se NATO ka zhvilluar luftën e vet nga ajri kur civilët shqiptarë “janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë”.

Për më tutje, VV gjithashtu thotë se intervenimi i NATO-s e ka forcuar pastrimin etnik, si kundër-argument ndaj filozofit Tzvetzan Todorov i cili ka thënë se intervenimi i NATO-s është bërë kundër spastrimit etnik.

Andaj, Noam Chomsky ka të drejtë kur thotë se në rast të paraqitjes së krizës humanitare, bota e jashtme ka tri mundësi: të veprojë për ta rënduar katastrofën; të mos veprojë fare; dhe të veprojë për ta zbutur katastrofën; Kosova i takon kategorisë së parë për arsye se: deportimi i afërsisht një milion njerëzve ka ndodhur pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe se pjesa dërrmuese e vrasjeve kundër civilëve ka ndodhur po ashtu pas fillimit të intervenimit të NATO-s.

Pasiqë bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e preokupuar me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe pasiqë qëllimet e saj kanë qenë qëllime humanitare, atëherë pse ajo ka vendosur që para fillimit të intervenimit të NATO-s t’i lë qytetarët e Kosovës nën mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke e larguar KVM-në nga Kosova?!… Një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, në ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”, thotë: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcoj kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121).

Nëse intervenimi i NATO-s është bërë kundër pastrimit etnik, siç edhe thotë Tzvetan Todorov, atëherë rezultati final, përkundrazi, ka qenë ai i forcimit të pastrimit etnik. Jo vetëm pse pas fillimit të bombardimeve të NATO-s janë deportuar afërsisht një milion shqiptarë, por edhe për faktin se pas përfundimit të këtyre bombardimeve dhe vendosjes së trupave të NATO-s është krijuar një Kosovë pothuajse etnikisht homogjene nga ku janë përjashtuar minoritarët.” thuhet në paragrafet vijuese të komunikatës së fshirë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Komunikata e VV-së vijon me pohimin se intervenimi i NATO-s nuk është bërë për çlirimin e Kosovës por për ta shtrënguar Serbinë për ta pranuar planin e paqes dhe t’i garantojë NATO-s qarkullim të lirë nëpër Jugosllavi por edhe garantim të integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë.

Ata i referohen librit të Enver Hasanit: “Self Determination, Territorial Integrity and International Stability: The Case of Yugoslavia”, për të argumentuar se si rezultati përfundimtar i bombardimeve të NATO-s ka qenë ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë.

Sipas VV-së, intervenimi i NATO-s është bërë që Serbia ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, por njëkohësisht sipas tyre është ruajtur edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i Jugosllavisë.

“Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën, por për ta shtrënguar palën serbe ta pranoj planin e paqes, e ai plan jo vetëm se ka garantuar që NATO-ja të ketë qarkullim të lirë nëpër tërë RFJ-në, por ka garantuar edhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë (qëllimi ka qenë që të ruhet paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar) dhe këtë më së miri e dëshmon dokumenti i 3 qershorit të vitit 1999 (Ahtisari dhe Çernomerdini)… Po këtë – pra se rezultati përfundimtar i bombardimeve të NATO-s ka qenë ruajtja e integritetit territorial të Jugosllavisë dhe si rrjedhojë Kosovës i është imponuar vetëvendosje e brendshme – e thotë edhe një ekspert kosovar në faqe 242 të librit e tij “Self Determination, Territorial Integrity and International Stability: The Case of Yugoslavia” të botuar nga një institut prestigjioz vjenez për zgjidhjen e konflikteve.

NATO ka rezultuar e suksesshme: pala serbe e ka pranuar me 3 qershor dokumentin e Atisarit dhe Çernomerdinit prej 10 pikash, ku pika tetë e merr tërësisht parasysh Marrëveshjen e Rambujesë dhe integritetin e sovranitetin territorial të Jugosllavisë. Nga kjo rrjedhë se Parlamenti i Serbisë dhe ish-Presidenti Millosheviq, me 3 qershor e kanë pranuar Marrëveshjen e Rambujesë. Zatën, intervenimi i NATO-s është bërë, siç u tha edhe më sipër, për t’u pranuar Marrëveshja e Rambujesë, e kjo marrëveshje, siç thuhet, veç tjerash, në Kapitullin 7 të saj – Shtojcat – Shtojca B: Statusi i forcave implementuese multinacionale, pika 8, garanton që “personeli i NATO-s do të gëzojë së bashku me automjetet, aeroplanët, mbajtësit dhe mjetet e tij, qarkullim të lirë, të pakufizuar dhe hyrje të papenguar nëpër tërë RFJ-në, duke përfshirë hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale…”, thotë më tutje kjo komunikatë.

Gjithashtu, në këtë komunikatë VV thotë se marrëveshja e Rambujesë përfshinte mbetjen e 2500 trupave të MUP-it në Kosovë, por pas intervenimit të NATO-s “për shkak të situatës së krijuar”, duke mos e sqaruar se çfarë situate është krijuar VV thotë se trupat nuk kanë mbetur, por që sipas tyre në atë komunikatë, mund të kthehen “kur të pjeken kushtet” pasi sipas VV-së nuk ka pengesa legale.

Më tutje, VV pohon se Javier Solana më 23 shtator të vitit 1999 ka thënë se Kosova duhet të heq dorë nga pavarësia, ani pse paradoksalisht kjo komunikatë është e vitit 2010, dy vite pasi Kosova e shpalli pavarësinë të njohur nga shtetet më të fuqishme të botës.

“Pra, në bazë të Marrëveshjes së Rambujesë qe paraparë që trupat e NATO-s të mund të vendosen në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë dhe po ashtu, në bazë të asaj marrëveshjeje qe paraparë që në Kosovë të mbesin 2500 trupa të MUP-it, kurse 1500 trupa të armatës jugosllave si roje të kufirit… Mirëpo, pas intervenimit të NATO-s për shkak të situatës së krijuar vendoset që të mos mbesin trupat serbe që ka qenë paraparë të mbesin në Kosovë, por të kthehen më vonë kur të vlerësohet nga ndërkombëtarët se për një gjë të tillë janë pjekur kushtet – legalisht s’ka asfarë pengese; dhe po ashtu për shkak të situatës së krijuar as trupat e NATO-s s’do të kenë të drejtë të vendosen në territorin e ish-Jugosllavisë tash SMZ-së…

Është me rëndësi të thuhet se në një deklaratë të dhënë me 23 shtator të vitit 1999, në gazetën Washington Post, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Javier Solana, ka thënë se “Shqiptarët e Kosovës duhet të heqin dorë nga shpresat e tyre se do të fitojnë pavarësinë duke e ndarë provincën nga Serbia. Ata duhet të heqin dorë nga qëllimet e tyre. Po qe se komuniteti ndërkombëtar lejon ndryshimin e kufinjve në Serbinë jugore do të ishte e vështirë të ndalohej ndarja në vendet tjera të Ballkanit dhe mbase edhe në pjesë të territorit të Rusis딑, thuhet në këtë komunikatë.

Krejt në fund, VV thotë se intervenimi i NATO-s nuk e ka suprimuar sovranitetin e Jugosllavisë ndaj Kosovës, por vetëm e ka suspenduar.

“Për më tepër se kaq, edhe presidenti i atëhershëm amerikan, gjatë bombardimeve të NATO-s, në një fjalim drejtuar popullit serb, pat deklaruar: “aleatët e NATO-s mbështesin popullin serb për ruajtjen e Kosovës si pjesë e vendit tuaj.” (Henry Kissinger, “Dëmtimi i Historisë”, botuar në librin “Lufta kundër luftës” në faqe 232-236.) Po të njëjtën gjë e pat thënë edhe ish sekretarja amerikane Albright, në një intervistë dhënë kanalit televiziv CNN me 21 shkurt të vitit 1999…

Fare në fund, me intervenimin e NATO-s nuk është suprimuar sovraniteti i Jugosllavisë ndaj Kosovës – pra sovraniteti de facto se ai de jure garantohet me rezolutën 1244 – por vetëm është suspenduar. Në vijim të kësaj, duhet thënë se garantimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të ish RFJ-së, tash SMZ-së, do të ketë reperkusione të drejtpërdrejta në definimin e statusit final të Kosovës dhe se nuk duhet të mirret joseriozisht deklarata e Solanës me rastin e vizitës së paradoditshme në Prishtinë, ku në një intervistë dhënë RTK-së inter alia tha: e vetmja gjë që mund të them është nuk do të ketë kthim të Kosovës në gjendjen para vitit 1999 dhe se e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Tash shtrohet pyetja: E ardhmja e Kosovës në Evropë si shtet i pavarur apo si pjesë e Unionit Serbi Mali i Zi, ngase e kemi të qartë që ardhmja e Kosovës nuk është në Azi?!”, thuhet në komunikatën e VV-së në fund. /Lajmi.net/