Napoli pëson në shtëpi, Fiorentina ia zbeh shpresat për titull

Fiorentina i ka dhënë një goditje të rëndë skuadrës së Napoli.

Sport

10/04/2022 16:58

Napoli ka pësuar humbje që mund të jetë fatale për këtë sezon. Në shtëpi, napolitanët u mposhtën 2:3 përballë Fiorentinës, shkruan lajmi.net.

Skuadra e Amir Rrahmanit gjeti veten në disavantazh pas minutës së 29’, kur Gonzalez kaloi ‘Violan’ në epërsi.

Napoli u kthye në lojë me anë të Dries Mertens, i cili në minutën e 58’ shënoi për 1:1. Megjithatë, presioni i kësaj ndeshje doli të ishte i madh për jugorët.

Fiorentina i shënoi dy gola të tjerë, një me anë të Ikone në minutën e 66’, dhe një me Arthur Cabral në minutën e 72’, për të rrëzuar skuadrën e Napolit.

Victor Osimhen tentoi që të kthente skuadrën e tij në lojë. Ai gjeti golin në minutën e 84’ për të çuar shifrat në 2:3, por nuk mund të bënte më shumë.

Kjo humbje me shumë gjasa e lë Napolin pa titull edhe për një sezon. Skuadra e Luciano Spalletti ka 66 pikë në pozitën e tretë, katër më pak sesa Milan në pozitën e parë, përkundër se vet kanë një ndeshje më shumë të luajtur. /Lajmi.net/