Mustafa: Për 45 ditë s’mund t’i zgjidhim të gjitha

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se koha prej 45 ditësh nuk ua ka mundësuar atyre zgjidhjen e problemeve në vend.

Lajme

27/01/2015 21:37

Duke folur për protestën e sotme, Mustafa ka thënë se motivet e tyre mund të jenë të ndryshme, nga ekonomia e deri tek shteti i dobët ligjor, mirëpo thotë se nuk duhet që kjo të shprehet përmes shkatërrimit të shtetit.

“Motivet për shprehjen e pakënaqësive të qytetarëve janë të shumta. Motiv është ngecja në zhvillimin ekonomik, papunësia e madhe, niveli i keq i shëndetësisë, shteti i dobët ligjor, mbyllja jonë dhe getoizimi jonë. Këto motive ne nuk duhet t’i shprehim përmes shkatërrimit të shtetit”.

“Ne e kemi marrë para 45 ditësh Qeverinë dhe s’mund që për kaq ditë t’i zgjidhim problemet”, tha kryeminisri. 

Ai shprehet i çuditur me atë se kush e “pjelli” tezën që Trepça do të diskutohet në Bruksel, teksa ka premtuar se vendit ai do t’i sjellë ndryshime.

“Ne kemi përgjegjësinë e plotë dhe vendosmërinë e plotë për të bërë ndryshime. U garantojmë që do të bëjmë ndryshime në ekonomi dhe ndryshime sa i përket shtetit ligjor”.

“Jo. Askujt s’i ka rënë ndërmend ta diskutojë Trepçën në Bruksel. Nuk e di nga u ka rënë në mend njerëzve dhe po thonë se Trepça do të diskutohet. Dikush e ka “pjellë” atë që Qeveria po do ta diskutojë në Bruksel Trepçën”, tha Mustafa.

_______________

Krerë të opozitës Jabllanoviqin e kanë pasur shok

Kryeministri Isa Mustafa tha se protesta e sotme më së paku i ngjau asaj për çka ishte thirrur. 

Në emisionin “Debat” në RTK, kryeministri Mustafa tha se arsyeja për protestë ishte shkarkimi i Jabllanoviqit dhe Ligji për Trepçën.

“Në protestë u kërkua që të shkarkohet komplet Qeveria. Kjo nuk është e arsyeshme sepse të gjitha partitë politike kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve, prandaj asnjë arsye nuk ka për shkarkimin e Qeverisë”, tha Mustafa.

Kryeministri shtoi se disa krerë nga partitë opozitare, të cilët sot po flasin kundër Jabllanoviqit, e kanë pasur shok dhe i kanë bërë nderime më shumë sesa që e ka merituar (duke iu referuar periudhës së bllokut opozitar LAN).