Mustafa: Një rol i rëndë për LDK-në për të qeverisur në këtë situatë

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se LDK ka marrë një rol shumë përgjegjës për vendin.

Lajme

07/03/2015 19:08

Mustafa ka thënë se nuk është e lehtë për LDK-në, që ta qeveris vendin në këtë situatë delikate.

“Është një rol i rëndë, në një situatë shumë delikate dhe të ngarkuar me probleme e pakënaqësi”, ka thënë Mustafa.

Një shënimin e përvjetorit të 25 të themelimit të Forumit të Gruas së LDK-së, Mustafa ka thënë se LDK ka marrë qeverisjen në një kohë shumë delikate.

“Lidhja Demokratike e Kosovës sivjet ka marrë një rol shumë përgjegjës në vendin tonë, drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është një rol i rëndë, në një situatë shumë delikate dhe të ngarkuar me probleme e pakënaqësi. Por është një shans që ti ndihmojmë vendit tonë. Sepse politika nuk është akt i cili luhet vetëm në terrene të mira e të sheshitura, në të cilën ka hapësirë që gjithnjë të zgjidhen partnerët ashtu siç na pëlqen neve, por një shesh në të cilin duhet ti përshtatemi vullnetit të votës dhe hapësirës politike e cila është krijuar me këtë votë” ka thënë ai.

“Vlerësoj se me rëndësi themelore është të arrijmë atë që ne e synojmë, të bëjmë ndryshime pozitive në zhvillimin ekonomik, të krijojmë kushte për hapje të vendeve të punës, për zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë, të zvogëlojmë skamjen në shumë familje; të luftojmë krimin dhe korrupsionin dhe të sigurojmë integrimin tonë në familjen evropiane, por edhe të bëjmë ndryshime të domosdoshme në arsim dhe shëndetësi, në mënyrë që t’i jepet përparësi themelore dijes dhe cilësisë së shërbimeve”, ka shtuar Mustafa.