Mustafa ‘harron’ migrimin ilegal, fokusohet te themelimi i Speciales (Video)

Kryeministri Isa Mustafa, i ftuar për të marrë pjesë në diskutimin e radhës në kuadër të Forumit FOL Hapur, që organizohet nga Lëvizja FOL, është fokusuar te nevoja për themelimin e Gjykatës Speciale, ndërsa ka folur pak për migrimin ilegal dhe problemet ekonomike në Kosovë.

Lajme

04/03/2015 11:13

Kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se më së largu deri në fillim të javës së ardhshme do të procedohen në Kuvend ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kjo gjykatë, e cila nga një pjesë e opozitës shihet si përpjekje për të dëmtuar imazhin e luftës çlirimtare dhe të Kosovës, do të merret me shqyrtimin e akuzave të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, ku pretendohet se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryeministri Mustafa ka thënë se mosformimi i kësaj gjykate do të ishte dështim shumë i madhe për Kosovën, pasi do ta kthente vendin në vitin 1999.

“Kemi dhënë përkushtimin tonë për themelimin e Gjykatës Speciale edhe vitin e kaluar, ndërsa tani do ta konkretizojmë atë. Ne në fund të kësaj jave ose fillimin e javës tjetër do të procedojmë ndryshime Kushtetuese që do të mundësojnë krijimin e kësaj gjykate. Është një proces që do ta kapërcejmë. Prandaj, shpresoj që deputetët ta përkrahin atë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

“Dështimi në themelimin e kësaj gjykate do të ishte rrezik shumë i madh dhe kjo do të na kthente vendin në vitin 1999. Por ne nuk jemi të interesuar të kthehemi pas, duhet t’i ngjeshim të gjitha forcat që kjo të kryhet”, ka thënë kryeministri Mustafa, ne debatin “Fol Hapur”.

Kryeministri ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, ku ka përmendur si problem kryesor tërheqjen e investimeve të jashtme, papunësinë e madhe dhe nivelin e larte të varfërisë. Përveç kësaj, ai ka thënë se migrimin ilegal e ka nxitur edhe izolimi, pasi qytetarët sipas tij, nuk mund të lëvizin jashtë as për studime dhe as për biznes.

YouTube player