Mustafa: Është mirë që nesër të votojmë pro gjykatës

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës të mërkurën është mirë të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës. Ai ka thënë se Prishtina zyrtare ka dy opsione, që gjykata ose të themelohet  me vendim të Kuvendit të Kosovës ose me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lajme

22/04/2014 13:42

Në një ligjëratë të mbajtur para studentëve të kolegjit “Pjetër Budi”, lideri i LDK-së, ka thënë se opsioni i dytë, ai i themelimit të gjykatës nga Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është një opsion i keq.

Mustafa ka thënë se nëse gjykata nuk themelohet nga Kuvendi i Kosovës, atëherë në OKB këtë gjë do ta iniconte Rusia dhe do të ishte e vështirë që pastaj kjo gjë të zhbëhet.

\”Çështja e gjykatës është vënë si çështje e cila nuk negociohet shumë. Ose do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me propozim të Rusisë ose do të bëhet në Kuvendin e Kosovës\”.

\”Në qoftëse bëhet në Këshillin e Sigurimit, ajo bëhet me një rezolutë dhe pastaj shtrohet pyetja se prap nevojitet një rezolutë tjetër për ta zhbë dhe një rezolutë e tillë vështirë se do të aprovohet sepse për atë rezolutë prapë do të shprehej Rusia, Kina dhe vendet e tjera\”.

\”Ne jemi përcaktuar që është më mirë që ne ta marrim përgjegjësinë dhe ta themelojë Kuvendi i jonë dhe unë jam i bindur se edhe përkundër asaj që nuk na pëlqen, më mirë ta bëjmë ne se sa të bëhet në Këshillin e Sigurimit dhe nesër besoj se do të votohet në Kuvendin e Kosovës\”.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa konsideron se EULEX është akoma i nevojshëm në Kosovë. 

\”Ne mendojmë se për EULEX-in nuk ka nevojë te ketë kundërshtime sepse EULEX-i e ka bërë një pjesë të mirë të punës dhe ka bërë punë veçmas në atë pjesë në të cilat organet vendore të gjyqësisë, prokurorisë nuk kanë qenë në gjendje t’i procedojnë çështjet në mënyrë më konkrete\”.

\”Ne do të dëshironim që të kemi organet e gjyqësisë dhe prokurorisë të afta tonat, që të mos kemi nevojë që të jetë edhe EULEX-i  këtu. Në këtë alternativë unë gjithmonë do të përkrahi atë që të kemi një gjyqësi të aftë, një prokurori të përgatitur mirë, një polici të përgatitur mirë, që të mos kemi nevojë që tash të vjen një organ i BE-së, që të na e ndanë drejtësinë në Kosovë sepse këtë shtet e kemi ndërtuar që vet ta ndajmë drejtësinë. Për fat të keq derisa kemi akoma dobësi në këtë fazë të tranzicionit, ne na ka shërbyer EULEX-i dhe kemi konsideruar se shërben ende të mbetet\”. 

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Mustafa ka kritikuar qeverinë për mospërmbushjen e kritereve të nevojshme, të cilat më pas do t’ua mundësonin qytetarëve lëvizjen e lirë nëpër Zonën Schengen.

\”Kushtet nuk i kemi përmbushur akoma por mund të them se edhe të tjerët që kanë përfituar nga liberalizimi nuk i kanë përmbushur bash të gjitha kushtet që janë kërkuar. Ne tash duhet të forcojmë institucionet themelore që merren me zbatimin e ligjit sidomos policinë, kontrollin kufitar, të ndalim migrimin e njerëzve tonë jashtë, sepse edhe aty është një vërejtje shumë e madhe ndaj nesh, që njerëz nga Kosova akoma po shkojnë të kërkojnë strehim në vendet e tjera\”.

\”Të bëjmë reformën e administratës publike që është kërkuar nga ne dhe nuk e kemi përmbyll. Ka qenë edhe kjo afera me pasaporta që na ka kushtuar shumë sepse në qoftë se ti se kontrollon aspektin e pasaportave, atëherë kush të beson ty kur të shkosh nesër në kufi se ti nuk lëshon pasaporta edhe për njerëzit që nuk janë qytetarë të Kosovës. Kjo pastaj duhet të bëhet përmes forcimit të të gjitha unazave të shteti ligjor\”, tha Isa Mustafa.