Mustafa: Deklaratat e deputetit gjerman alarm i keq për vendin

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deklaratat e deputetit gjerman Michael Brand, i cili ka thënë se Kosova është e kapur nga krimi dhe korrupsioni, i ka cilësuar si alarm serioz për vendin. Ai ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Thaçi ka instaluar në Kosovë praktikën kriminale të zhvatjes.

Lajme

24/05/2014 12:53

Kryetari  i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi ka instaluar në Kosovë praktikën kriminale të zhvatjes. Ai duke je referuar deklaratave të deputetit gjerman Michael Brand, i cili  ka thënë se Kosova është e kapur nga krimi dhe korrupsioni derisa Qeveri nuk i lufton këto dukuri,që sipas Mustafës është një alarm serioz për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Mustafa në një shkrim në rrjetin social Facebook, është shprehur se ata do të reagojnë për ta ndryshuar këtë gjendje.

\”Alarmi që na erdhi nga Michael Brand, një prej deputetëve me ndikim të Partisë Kristian Demokrate (CDU) të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, është serioz për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”.

“Ky është shërbimi më i keq që mund t’i bëjë një qeveri qytetarëve dhe shtetit të vet. Kjo rrezikon t’i kushtojë Kosovës me venitjen e mbështetjes ndërkombëtare për aspiratën legjitime të popullit të Kosovës, për t’i përmbushur standardet, që nesër të jetë pjesë e vlerave dhe civilizimit evropian”.

“Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë ndëshkim dhe këtë damkë. Ata janë viktima të qasjes zhvatëse të strukturave dhe praktikave kriminale që ka instaluar kjo qeverisje”.

“Ashtu siç ka thënë edhe deputeti Brand, njerëzit e Kosovës e dinë këtë realitet dhe vuajnë rëndë nga kjo qasje e qeverisë”.

“Prandaj, unë besoj se ata do të reagojnë më 8 qershor, për t’u ndarë nga epoka e degradimit dhe komprementimit të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë, si i nominuari i saj për ta drejtuar qeverisjen e ardhshme të Kosovës, jemi të përkushtuar dhe të vendosur për ta udhëhequr Kosovën drejt rikthimit të emrit të mirë në arenën ndërkombëtare”.

“Ne do ta ndërtojmë një filozofi qeverisëse të bazuar në standardet demokratike, e cila, jo vetëm që nuk do t’i ketë dyert e mbyllura në kryeqytetet kryesore të diplomacisë, por do ta gëzojë respektin dhe mbështetjen e partnerëve strategjikë të vendit tonë, Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë Gjermanisë si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Mustafa nw Facebook.