Musliu Shoshi publikon dokumente për “dallaveret” në MPJD: Rekomanduan këta persona për gradime, duke anashkaluar disa grada të tjera- përfshirë atë të atasheut
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka deklaruar një mori shkeljesh që thotë se po bëhen në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Musliu-Shohi tha se nën drejtimin e ministres Donika Gërvalla po i jep goditjen e fundit diplomacisë së Kosovës, duke dërguar në skenën ndërkombëtare zyrtarë të papërvojë.…

Lajme
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka deklaruar një mori shkeljesh që thotë se po bëhen në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Musliu-Shohi tha se nën drejtimin e ministres Donika Gërvalla po i jep goditjen e fundit diplomacisë së Kosovës, duke dërguar në skenën ndërkombëtare zyrtarë të papërvojë.
Sipas saj, ministrja Gërvalla bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm Ilir Muçaj kishin bërë thirrje për mbajtjen e mbledhjeve të posaçme të Komisionit për Grada dhe Disiplinë me qëllim të promovimit të një grupi mbështetësish të saj politikë.
“Zyrtarët e rekrutuar më pak se një vit e gjysmë më parë, të cilët duhej të ishin emëruar në gradën e atasheut, në vend të kësaj gradohen si Sekretar i Dytë dhe Sekretar i Parë. Sipas dokumenteve të siguruara, Sekretari i Përgjithshëm Ilir Muçaj dhe anëtarë të tjerë të Komisionit i kanë rekomanduar këta persona për gradime deri në Sekretar të Parë, duke anashkaluar disa grada të tjera, përfshirë atë të atasheut, sekretarit të tretë dhe, në disa raste, edhe të sekretarit të dytë. Sot është planifikuar një mbledhje e re, gjatë së cilës pritet të promovohet edhe grupi i dytë i rekrutëve politikë. Këto veprime arbitrare jo vetëm që cenojnë integritetin e Ministrisë, por edhe diskriminojnë diplomatët me përvojë, kërkesat e të cilëve për ngritje në detyrë po shpërfillen. Kjo shkelje e hapur cënon parimin kushtetues të trajtimit të barabartë dhe dëmton dinjitetin personal e profesional të zyrtarëve publikë”, tha deputetja, transmeton lajmi.net.
Po ashtu ajo theksoi se është shqetësueses fakti se diplomatët e rinj po caktohen në pozita diplomatike në Evropë, ndërsa diplomatët me përvojë po dërgohen në postet e largëta pa ndonjë arsyetim të bazuar.
Reagimi i plotë:
Vazhdojnë vendimet e paligjshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës!
Ndërkohë që vëmendja e publikut është e drejtuar drejt formimit të qeverisë së re, vendimet e paligjshme vazhdojnë të merren brenda institucioneve tona, veçanërisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo situatë po bëhet gjithnjë e më alarmante, sidomos nën drejtimin e ministres në ikje, Donika Gërvalla Schwarz. Në një moment kur vendi ka nevojë për diplomaci stabile dhe cilësore, ajo po i jep edhe goditjen e fundit kësaj fushe, duke dërguar në skenën ndërkombëtare, përballë diplomatëve më të sofistikuar të botës, zyrtarë të papërvojë.
Në mars të vitit 2025, ministrja Gërvalla Schwarz urdhëroi mbajtjen e mbledhjeve të posaçme të Komisionit për Grada dhe Disiplinë, me qëllim të dukshëm për të promovuar në grup mbështetësit e saj politikë, të rekrutuar brenda dy viteve të fundit. Ky komision, i drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Muçaj, kishte hapur më parë (në korrik 2024) një shpallje promovimi pa datë mbylljeje, në mënyrë të paligjshme. Përkundër kësaj, ministrja ka vazhduar me mbajtjen e takimeve të veçanta, përmes të cilave rekrutët politikë shpërblehen me grada, duke mos respektuar kriteret ligjore të përcaktuara në Ligjin për MPJD-në, Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe aktet e tjera përkatëse nënligjore.
Zyrtarët e rekrutuar më pak se një vit e gjysmë më parë, të cilët duhej të ishin emëruar në gradën e atasheut, në vend të kësaj gradohen si Sekretar i Dytë dhe Sekretar i Parë. Sipas dokumenteve të siguruara, Sekretari i Përgjithshëm Ilir Muçaj dhe anëtarë të tjerë të Komisionit i kanë rekomanduar këta persona për gradime deri në Sekretar të Parë, duke anashkaluar disa grada të tjera, përfshirë atë të atasheut, sekretarit të tretë dhe, në disa raste, edhe të sekretarit të dytë. Sot është planifikuar një mbledhje e re, gjatë së cilës pritet të promovohet edhe grupi i dytë i rekrutëve politikë. Këto veprime arbitrare jo vetëm që cenojnë integritetin e Ministrisë, por edhe diskriminojnë diplomatët me përvojë, kërkesat e të cilëve për ngritje në detyrë po shpërfillen. Kjo shkelje e hapur cënon parimin kushtetues të trajtimit të barabartë dhe dëmton dinjitetin personal e profesional të zyrtarëve publikë.
Për më tepër, është shqetësues fakti se diplomatët e rinj, të rekrutuar mbi bazën e përkatësisë partiake, po caktohen në pozita kyçe diplomatike në Evropë, ndërsa diplomatët me përvojë po dërgohen në postet më të largëta, pa ndonjë arsyetim të bazuar. Është gjithashtu alarmante të shohësh se disa vende të rëndësishme kanë mbetur pa ambasador për katër vjet dhe pa staf të mjaftueshëm diplomatik, ndërkohë që disa konsullata kanë një staf të tepërt, duke krijuar një çekuilibër në përfaqësimin diplomatik. Përveç kësaj, ministrja Gërvalla Schwarz, në koordinim me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, është duke planifikuar një valë të dytë të emërimeve politike në krye të misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës. Këto veprime duket se synojnë sigurimin e mbështetjes politike për vitet e ardhshme dhe duhet të ndalohen rreptësisht deri në formimin e qeverisë së re. Edhe pas formimit të qeverisë, duhet të kenë prioritet diplomatët e karrierës, të cilët aktualisht po margjinalizohen deri në nivelin e diskriminimit.
Është thelbësore që ministrja Gërvalla Schwarz dhe Sekretari i Përgjithshëm Muçaj të mbajnë përgjegjësi për këto vendime, të cilat në mënyrë të qartë kanë injoruar kornizat ligjore të Ministrisë. Politika e jashtme e Kosovës nuk duhet të trajtohet si çështje partiake, dhe veprimet që cenojnë integritetin e shërbimit diplomatik nuk mund të tolerohen. Ata që marrin vendime në kundërshtim me kriteret ligjore duhet të përballen me drejtësinë, pasi këto veprime dëmtojnë shtetin dhe cilësinë e shërbimit të tij diplomatik./Lajmi.net/