Musliu i kundërpërgjigjet Muratit: Opozita nuk refuzon ndihmën për qytetarët opozita refuzon keqpërdorimin e parasë publike
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me mosvotimin e trajtimit të rishikimit të buxhetit në seancën e sotme. Musliu tha se nuk është opozita ajo që ka penguar ndihmën për qytetarët, por sipas saj, qeveria ka tentuar ta paraqesë një “manovër elektorale” si paketë sociale.…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me mosvotimin e trajtimit të rishikimit të buxhetit në seancën e sotme.
Musliu tha se nuk është opozita ajo që ka penguar ndihmën për qytetarët, por sipas saj, qeveria ka tentuar ta paraqesë një “manovër elektorale” si paketë sociale.
“Nëse vërtet do të kishte vullnet për t’i ndihmuar qytetarët përballë inflacionit, kjo do të ishte bërë me kohë, me transparencë dhe përmes procedurave të rregullta – jo në momentet kur vota bëhet më e rëndësishme se mirëqenia e njerëzve”, deklaroi ajo.
Deputetja opozitare theksoi se rishikimi i buxhetit nuk duhet të përdoret si mjet propagande apo për të blerë mbështetje politike, por për të garantuar stabilitet ekonomik dhe drejtësi sociale.
Sipas Musliut, opozita nuk po refuzon ndihmën për qytetarët, por po kundërshton, siç u shpreh ajo, keqpërdorimin e parasë publike.
“200 milionë euro nuk janë pronë e qeverisë, janë të qytetarëve. Dhe qytetarët meritojnë politika serioze, jo improvizime të minutës së fundit”, shtoi Musliu.
Ajo kërkoi nga qeveria të japë përgjigje pse nuk janë ndërmarrë masa më herët kundër inflacionit dhe pse, sipas saj, veprimet ndërmerren vetëm në prag të zgjedhjeve.
“Në vend të spektaklit politik, qytetarët kanë nevojë për përgjegjësi”, përfundoi deputetja e PDK-së.
Postimi i plotë:
Nuk është opozita që e pengoi ndihmën për qytetarët është qeveria që tentoi ta shesë si “paketë sociale” një manovër të pastër elektorale.
Nëse vërtet do të kishte vullnet për t’i ndihmuar qytetarët përballë inflacionit, kjo do të ishte bërë me kohë, me transparencë dhe përmes procedurave të rregullta jo në momentet kur vota bëhet më e rëndësishme se mirëqenia e njerëzve.
Rishikimi i buxhetit nuk është mjet propagande. Nuk përdoret për të blerë mbështetje politike, por për të garantuar stabilitet ekonomik dhe drejtësi sociale. Opozita nuk refuzon ndihmën për qytetarët opozita refuzon keqpërdorimin e parasë publike.
200 milionë euro nuk janë pronë e qeverisë, janë të qytetarëve. Dhe qytetarët meritojnë politika serioze, jo improvizime të minutës së fundit.
Në vend të justifikimeve, qeveria duhet të japë përgjigje: pse nuk u ndërmorën masa reale kundër inflacionit më herët? Dhe pse çdo veprim bëhet vetëm kur afrohen zgjedhjet?
Qytetarët nuk kanë nevojë për spektakël politik kanë nevojë për përgjegjësi. /lajmi.net/