Mujka që sot nënshkroi largimin e veteranit të UÇK-së nga puna, ishte arrestuar për korrupsion kur ishte nënkryetar i Mitrovicës

Në një aksion të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2023, ishte arrestuar Faruk Mujka, atëkohë kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për përfshirje në korrupsion. Arrestimi i tij kishte ndodhur gjatë kohës kur ai mbante edhe postin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në koalicion me…

Lajme

31/07/2025 21:24

Në një aksion të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2023, ishte arrestuar Faruk Mujka, atëkohë kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për përfshirje në korrupsion.

Arrestimi i tij kishte ndodhur gjatë kohës kur ai mbante edhe postin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në koalicion me kryetarin Agim Bahtiri, raporton lajmi.net

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy personat të ndaluar, të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit. Me këto veprime të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të njëjtit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhej në komunikatë.

Përveç funksioneve publike, Mujka kishte qenë një nga figurat qendrore të Vetëvendosjes në Mitrovicë, ku kishte shërbyer si kryetar i kësaj partie.

Përtej angazhimit në VV, Mujka ishte raportuar më parë të ketë qenë edhe pjesë e partisë së Mira Markoviq, bashkëshortes së kriminelit serb Slobodan Millosheviq.

Ai nuk i kishte mohuar kurrë publikisht këto raportime, ndonëse pretendonte se ato ishin përdorur politikisht kundër tij.

Në dhjetor të vitit 2022, Mujka kishte marrë zyrtarisht postin e kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”, duke e quajtur atë “një udhëtim të ri”.

“Çdo udhëtim ka fillimin, itinerarin dhe fundin e tij. Nga secili udhëtim kam fituar njohuri, eksperienca dhe miq të ri. Gjërat e këqija të përjetuara gjatë rrugëtimit hudhen pas shpine.”

Por këtë javë, në një vendim që ka nxitur reagime të forta, pikërisht Mujka ka urdhëruar largimin nga puna të veteranit të UÇK-së, Agim Pllashniku, vetëm pak ditë pasi ky i fundit kishte kritikuar publikisht deputeten e VV-së, Fitore Pacolli, për keqpërdorim të 252 mijë eurove.

Pllashniku kishte ngritur edhe kallëzim penal ndaj Pacollit, ndërsa vendimi për largimin e tij nga “Ibër-Lepenc” është parë si një akt hakmarrjeje politike dhe shkelje flagrante e të drejtave të punës.

Ky veprim është cilësuar si hakmarrje politike dhe tentativë për të heshtur zërat kritikë brenda institucioneve.

“Skandal si në Korenë e Veriut. I ndërpritet marrëdhënia e punës Agim Pllashnikut, pikërisht pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj Fitore Pacollit. Si është e mundur, dhe pse pikërisht tani, pa paralajmërim, pa vërejtje dhe pa bazë ligjore? Kjo është dëshmi e shkeljes së rëndë të vlerave demokratike në këtë vend”, deklaroi avokati i Pllashnikut.

Për vendimin e Mujka, kanë reaguar deputetë të opozitës, ku veprimin e tij e kanë cilësuar si të ndikuar politikisht dhe se ky veprim është dëshmi e një pushteti që ka humbur kontaktin me realitetin dhe dinjitetin./Lajmi.net/