Muhaxhiri: Aderimet bëhen temat më interesante meqë partitë s’investojnë në programe

Si zakonisht para kohës së zgjedhjeve, aderimet e personaliteteve me profileve publike në partitë politike bëhen temë kryesore jo vetëm e mediave, por edhe e tavolinave në kafene.

Lajme

20/08/2019 19:39

“Partitë politike nuk investojnë në programe dhe për këtë arsye aderimet shndërrohen në temat më interesante populiste. Është një lloj indikatori për një parti se çfarë profile profesionistësh aderojnë. Ndonjëherë është pozitive, por mund të ketë edhe aspekte negative nëse marrin njerëz që janë të kundërt ideologjikisht me profilin dhe formatin e partisë – siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Duhet të kenë kujdes që të mos importojnë ideologji dhe qëndrime diametralisht të kundërta. Ka pasë raste edhe në PDK, LDK dhe VV kur të aderuarit nuk kanë pasur pajtueshmëri ideologjike dhe vlerore, prandaj më pas u janë krijuar probleme”, tha Analisti Artan Muhaxhiri  në Klan Kosova.

Njohësi i çështjeve politike, Muhaxhiri, thotë se partitë mundohen të marrin njerëz me kredibilitet për shkak se shpresojnë që kjo mund të ndikojë edhe në rritjen e besimit tek to – meqë populli tashmë nuk ka shumë besim tek partitë politike.

“Në kontekste të këtilla njerëzit më lehtë aderojnë në partitë që janë në opozitë. Probleme mund të kenë partitë që deri më tash kanë qenë në pozitaë. Çështja është se kush do të aderojë tash në PDK, AAK dhe NISMA, që kanë qenë në qeverisjen e kaluar”.

“Në Lëvizjen VETËVENDOSJE! tash është më lehtë të aderohet, sepse e ka imazhin e partisë energjike opozitare, prandaj shndërrohet në një lloj ombrelle për shtresa të ndryshme të shoqërisë që janë të mllefosur me qeverisjen e deritashme dhe i besojnë premtimeve të saj për luftën kundër korrupsionit dhe adresimit të pakënaqësive ndaj gjendjes socioekonomike”.