Muhaxheri i Pejës e do Bankkosin
Komuna e Pejës ia ka vënë syrin objektit të vjetër të ish Bankkosit, i cili deri tash vonë është shfrytëzuar nga Qendra e Regjistrimit Civil. Ky objekt gjendet në menaxhim të AKP-së dhe për ta bërë të vetin Komunës i duhet goxha mund.

Lajme
Propozimi i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri për ta shpallur atë objekt në interes publik ende nuk ka arritur në Kuvendin Komunal për miratim, shkruan gazeta Tribuna.
Kryetari shpreson se ky propozim do të kalojë edhe në Kuvend, pasi veç e ka marr pajtimin e Komitetit për Politikë e Financa. Kreu i Pejës tregon qëllimin arsyetues të propozimit të tij që ky objekt të merret në pronësi nga Komuna e Pejës. “Mendojmë që këtë objekt ta shndërrojmë në një inkubator të biznesit për të rinj me ideja novatore”, tha Muhaxheri.
Por, problemi është se në një pjesë të tokës mbi të cilën është ndërtuar ky objekt ka pretendime një familje pejane, e cila nuk është njoftuar fare për pretendimet e Komunës.
(Tribuna)