MPJD s’i ka dërguar ende në Komision propozimet për ambasadorë në 3 shtete
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk i ka dërguar ende në Komisionin për Punë të Jashtme tre emrat për ambasadorë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, Norvegji dhe Turqi.

Lajme
Një gjë të tillë për lajmi.net e ka konfirmuar anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, duke thënë se Komisionit nuk i ka ardhë ende ndonjë informacion nga stafi i Komisionit Parlamentar.
“Tash për tash, për momentin, nuk e kemi ndonjë emër që na ka ardhë. S’paku s’e kemi marrë informatën prej stafit të Komisionit Parlamentar”, ka deklaruar Kadrijaj për mediumin.
Megjithatë, të kundërtën e ka deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. Kjo e ka fundit ka thënë përgjatë një konference për media se tre ambasadorë për Maqedoni të Veriut, Turqi e Norvegji veçse janë caktuar dhe se po pret aprovimin.
“Mund të ju them që momentalisht i kemi tre ambasadorë të konsideruar politik që kanë kaluar në Komisioni Parlamentar. Është ambasadori që duhet të shkojë në Turqi, ambasadori në Maqedoni dhe ai që duhet të shkojë në Norvegji. Këto janë procedura që janë konfidenciale deri në momentin e aprovimit”, ka deklaruar udhëheqësja e MPJD-së.
Kryediplomatja kosovare është ankuar në vazhdimësi edhe për mungesë të personelit dhe stafit civil nëpër ambasada.
“MPJ ballafaqohet me një mungesë të theksuar të personelit, stafit civil, prandaj jemi në pritje që në bashkëpunim me MPB-në të hapim konkurset që na mundësojnë që pozicionet që i keni të mbuluara me buxhet të mund të shpallim konkurset dhe të fillojnë punën njerëzit të rinj, që dëshirojnë, kanë kapacitet të fillojnë të bëhen shërbyes në MPJ”, deklaroi Gërvalla-Schwarz në të njëjtën konferencë. /Lajmi.net/