“Mos i dërgoni fëmijët në shkollë”, prindërit alarmohen për papastërtinë në “Ismail Qemali”
Prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë kanë vendosur të bojkotojnë tërësisht procesin mësimor të premten, më 6 nëntor, në shenjë proteste ndaj gjendjes së rëndë higjieno-sanitare në shkollë. Vendimi është marrë nga Këshilli i Prindërve të Shkollës, i cili ka shprehur shqetësimin për mungesën e një…
Lajme
Prindërit e nxënësve të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë kanë vendosur të bojkotojnë tërësisht procesin mësimor të premten, më 6 nëntor, në shenjë proteste ndaj gjendjes së rëndë higjieno-sanitare në shkollë.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Prindërve të Shkollës, i cili ka shprehur shqetësimin për mungesën e një zgjidhjeje konkrete lidhur me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve shkollore.
Në njoftimin drejtuar prindërve, Këshilli thekson se, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse, situata ende nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme.
Sipas tyre, njoftimet për një marrëveshje mes sindikatës dhe Komunës nuk garantojnë se shërbimet e pastrimit do të rifillojnë menjëherë dhe se nxënësit do të kenë kushte të përshtatshme higjienike.
Këshilli ka bërë të ditur gjithashtu se janë raportuar raste të reaksioneve alergjike te fëmijët, për të cilat kërkohet vlerësim nga autoritetet kompetente shëndetësore.
Prindërit kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme, pastrim të plotë të shkollës dhe një zgjidhje afatgjatë për mirëmbajtjen e saj.
Ata kanë theksuar se bojkoti nuk është kundër procesit mësimor apo të drejtave të punëtorëve në grevë, por synon të sigurojë një ambient të pastër dhe të sigurt për fëmijët.